Search
Close this search box.

Cramon: Kosova e meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Shpërndaje

Raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se e mbështetë plotësisht aplikimin që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Në një shkrim në Twitter, Cramon shkroi se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë qasjen në mekanizmat e Evropës.

“Unë e kam mbrojtur këtë për një kohë të gjatë dhe kështu jam dakord me propozimin e Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Qytetarët e Kosovës meritojnë qasje të plotë në mekanizmat më të vjetër të Evropës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut , duke përfshirë #ECHR #ECtHR”, shkroi Cramon.

Po ashtu, edhe themeluesi dhe Kryesuesi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se është momenti që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

Të hënën gjatë ditës, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se mbështetja e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe nga Kosova duhet të shpërblehet me anëtarësim në KE.

“Është e çuditshme pozita e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Kosova mbështet politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe. Do të ketë vota në BE për ta pranuar atë. Bëjeni tani. Vëreni në votim pranimin e Kosovës”, ka theksuar Knaus.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e MPJD-së, janë 117 vende të botës që e kanë njohur atë.

Për këta gati 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Në plan-programin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është formuar në mars të vitit të kaluar, thuhet se “rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë”.

Aty po ashtu thuhet se ekzekutivi “do të angazhohet në funksion të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këtë e ka përsëritur ditë më parë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pas një takimi me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë./Telegrafi/

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme