Tash e shtatë ditë në Ukrainë, Rusia e ka nisur luftën. Agresionin rus e dënuan menjëherë vendet perëndimore që u rreshtuan krahë Ukrainës. Në krahë të vendit që u sulmua nga fqinji në orët e hershme të 24 shkurtit, doli edhe Kosova. Përveç sanksioneve ndaj Rusisë, Qeveria e Kosovës doli konkretisht edhe me ndihma për shtetin e Ukrainës, përfshirë edhe atë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë.
Në mbledhjen e djeshme të ekzekutivit u vendos që për strehimin e këtyre 20 gazetarëve të ndahen 150 mijë euro, për qëndrim gjashtë mujor.
Qeveria tregoi edhe për kriteret që do merren për bazë për përzgjedhjen e këtyre gazetarëve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150.000 € (njëqind e pesëdhjetë mijë euro) në emër të pranimit në Kosovë të 20 (njëzet) gazetarëve nga Ukraina. Këto mjete do të përdoren me qëllim të mbulimit të shpenzimeve që lidhen me qëndrimin e këtyre gazetarëve në Kosovë për një periudhë deri në 6 (gjashtë) muaj. Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Përveç kësaj ndihme, nga opozita po kërkojnë është ndarjen e mjeteve për ndihmë solide për shtetin e Ukrainës dhe krijimin e kushteve për strehimin e refugjatëve ukrainas në Kosovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës që të ndajë një milionë euro për t’u solidarizuar me Ukrainën.
Kërkesë tjetër e tij ishte edhe krijimi i kushteve për strehimin e pesë mijë refugjatëve ukrainas në Kosovë.
“Përderisa dimensioni i agresionit rus ndaj Ukrainës po merr karakter të një krize humanitare, Partia Demokratike e Kosovës i kërkon qeverisë që të ndajë një shumë prej së paku 1 milion eurosh për popullin e Ukrainës, si një ndihmë solide në këtë kohë jashtëzakonisht të rëndë për ta dhe vendin e tyre. Njëkohësisht, PDK i bën thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa për të siguruar, në rast nevoje, strehimin e së paku 5000 qytetarëve ukrainas që janë shpërngulur dhunshëm nga agresioni rus”, ka shkruar Krasniqi sot në një postim në “Facebook”.
Kosova ishte ndër vendet e para që vuri sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit filloi pushtimin e Ukrainës.
Sanksionet që Kosova ka vënë ndaj Rusisë janë: ngrirja e aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara; ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar; ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara. /Express/