Pas 7 muajsh në Shqipëri, rreth 212 shtetas afganë janë larguar drejt shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e përcjelljes së tyre, morën pjesë ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja Yuri Kim, e cila vlerësoi gatishmërinë e shtetit shqiptar.
“Ky është fundi i një operacioni për shumë prej jush dhe për shumë prej nesh, për të cilin padyshim ne dhamë gjithçka, dhamë zemrën dhe mendjen tonë, ne ju pamë dhe pritëm si të ftuar, por ju u bëtë edhe miqtë tanë. Sot miqtë tanë po ikin. Shpresoj që ju të keni gjithmonë një kujtim të mirë për këtë vend, për Shqipërinë, për njerëzit e saj dhe që në të ardhmen do të ktheheni të na vizitoni dhe ne me të vërtetë e presim atë ditë, por gjithashtu besoj shumë se ky operacion, evakuimet dhe strehimi juaj, nuk ju ndihmoi vetëm ju, besoj fort se na ka ndihmuar edhe neve”, tha ministrja e jashtme, Olta Xhaçka.
Ndërsa ambasadorja amerikane u shpreh: “Ajo që kam mësuar në dy vitet e mia këtu në Shqipëri është se populli shqiptar e merr shumë seriozisht mundësinë, përgjegjësinë për t’i hapur derën një të huaji në nevojë dhe për t’ju bërë të ndiheni se jeni vërtet një mysafir. Këtu në Shqipëri ekziston një shprehje: “bukë, kripë dhe zemër të hapur”. Dhe ajo që kam ndjerë këtu është se, nëse shkoni tek një shqiptar në momentin tuaj më të vështirë, kur keni ftohtë, kur jeni të uritur, apo jeni të etur, një shqiptar do ta hapë derën gjerësisht dhe shqiptari do t’ju japë deri thërrimet e fundit të bukës, kokrrat e fundit të kripës dhe gjithçka që mbajnë në zemrën e tyre. Është çështje nderi. Ndaj faleminderit mikpritësve tanë shqiptarë, miqve tanë, zyrtarëve të qeverisë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë. Ju jeni siguruar që të gjithë ata që vijnë këtu të ndihen si mysafirë dhe të qëndrojnë këtu me dinjitet dhe mirësi”