Presidenca çeke e BE-së lë të hapur edhe propozimin për pezullimin e udhëtimit pa viza në vendet e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky propozim konsiderohet si mjet i fundit për reduktimin e numrit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në BE nëpërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë dhe Serbisë.
“Rritja e numrit të kubanezëve, indianëve dhe turqve që vijnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka nxitur bisedimet për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor”, shkruan EUobserver.
“Në veçanti, shtetasit e Turqisë, Tunizisë, Indisë, Kubës dhe Burundit hyjnë legalisht (pa viza) në rrugë ajrore në Serbi (dhe nga disa prej këtyre vendeve edhe në Shqipëri) dhe një numër shumë i madh i tyre shkojnë në mënyrë të parregullt në vendet anëtare të BE-së”, thuhet në dokumentin e presidencës çeke e BE-së të 11 tetorit, të cilin e ka parë EUobserver.
“Shtetasit indianë po mbërrijnë në mënyrë ilegale në BE pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor. E njëjta gjë vlen edhe për shtetasit kubanë,” thuhet në document.
Aty theksohet se “këto janë lëvizje të pazakonta përmes këtyre rrugëve dhe ekziston rreziku i rritjes së kësaj tendence”.
“Fakti që Serbia dhe Shqipëria kurrë nuk i harmonizuan plotësisht listat e tyre të heqjes së vizave me BE-në, pavarësisht se ata gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në vendet e bllokut kontribuon në rritjen e numrit të emigrantëve të parregullt që hyjnë në BE nëpërmjet kësaj rruge”, thuhet në dokument.
Presidenca çeke kërkon të ushtrohen presion më i madh diplomatik ndaj Shqipërisë dhe Serbisë për të harmonizuar heqjet e vizave dhe për të rikthyer më shumë emigrantë të parregullt.
“Në rast se përpjekjet diplomatike do të dështojnë, BE-ja duhet të përgatitet dhe të marrë në konsideratë një listë të masave të tjera që mund të përdoren, duke përfshirë edhe kontekstin e mekanizmit të pezullimit të vizave”, thuhet në dokument.
Rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm po ushtron presion sidomos ndaj shteteve fqinje të Ballkanit Perëndimor: Austrisë, Kroacisë dhe Sllovenisë.
Numri më i madh i emigrantëve të paligjshëm ende vjen nga Afganistani dhe Siria. Mbi 60,000 persona u përpoqën të hyjnë në BE në mënyrë klandestine në pderiudhën janar-gusht të këtij viti. Kjo shifër është për afër 10,000 më e lartë se gjithë vitin e kaluar, kur nëvendet e BE-së kishin hyrë ilegalisht 51,000 persona.
Problemi i Ballkanit Perëndimor vjen shtatë vjet pas të ashtuquajturës krizë emigrantësh të vitit 2015, kur më shumë se 1 milion refugjatë hynë në mënyrë të parregullt në BE, shumica e tyre nëpërmjet Evropës Juglindore.
Arsye fillestare e vendosjes së këtij sistemi ishin shqetësimet e fundit të sigurisë me terrorizmin dhe krizën e emigrantëve.
Prandaj, ishte bërë thirrje për një menaxhim më të mirë se kush po hyn në kufijtë e BE-së.
BE-ja deklaronte vazhdimisht synimin e saj për ta bërë udhëtimin brenda kufijve të saj një përvojë më të sigurt.
Për të reduktuar procedurat dhe kohën e pritjes, si edhe për të adresuar shqetësimet e sigurisë, Komisioni Evropian ka dalë me opsionin e ETIAS.