Ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Ben Wallace, tha të mërkurën se vendi i tij do ta furnizojë Ukrainën me sisteme armësh si “përgjigje ndaj akteve të mëtejme të agresionit nga Rusia”.
Britania deri më tash i ka dhënë Ukrainës 3.615 armë anti-tank dhe do ta furnizojë së shpejti edhe me një numër të vogël raketash “Javelin”, tha Wallace para deputetëve britanikë.
“Furnizimi fillestar do të ishte me 2.000 armë të lehta e të reja anti-tank, armë të vogla dhe municion”, shtoi ai, por kjo shifër është rritur dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë që të ofrojë më shumë armë të tilla, shkruan CNN.
Britania e Madhe është gjithashtu duke e shqyrtuar mundësinë që t’i japë Ukrainës raketa kundërajrore “Starstreak”, me kërkesën e autoriteteve ukrainase.
Sipas inteligjencës britanike, Rusia ka qenë e suksesshme vetëm në njërin nga objektivat fillestarë në Ukrainë dhe ka dështuar që t’i shkatërrojë sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha ministri britanik i Mbrojtjes./Nacionale/