Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot priti në takim zyrtar një delegacion grek të kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike i Republikës së Greqisë, Kostas Fragogiannis.
Temë kryesore e takimit midis dy delegacioneve ishte nevoja për thellimin e mëtejshëm të raporteve midis Kosovës dhe Greqisë në të gjitha sferat me interes për popujt e të dyja vendeve, sidomos në ekonomi, tregti, arsim, kulturë e turizëm.
Gjatë këtij takimi, vend të theksuar zuri edhe diskutimi mes palëve mbi situatën e krijuar pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe rreziqet që i kanosen rajonit.
Në fund të këtij takimi, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij grek, Kostas Fragogiannis, nënshkruan dokumentin e formalizmit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis dy shteteve.