Staten Island është komuna më jugore e qytetit të Nju Jorkut, ku jeton komuniteti më i madh i diasporës nga komuna e Ulqinit, numri i të cilëve llogaritet në disa mijëra.
Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari dhe kryetari i Komunës së Staten Island Vito Fossela nënshkruan sot në Staten Island të Shteteve të Bashkuara të Amerikës marrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy komunave, thuhet në njoftimin e zyrës së Bajraktarit.
Në nënshkrimin e marrëveshjes mori pjesë edhe ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Xheka.
Nënshkrimit të marrëveshjes i ka paraprirë aktiviteti i dendur shoqëror i shoqatave të diasporës “Ulqini”, “Ana e Malit” dhe “Kraja”. Kjo marrëveshje paraqet bashkëpunimin e parë institucional ndërmjet Ulqinit dhe Staten Island.