Në kuadër të 21 Qershorit, “Ditës Botërore të Muzikës”, Ministria e Kulturës në Shqipëri ka shpallur muajin qershor si “Muajin e Muzikës”.
Në Muzeun Historik Kombëtar është këndi kushtuar artistes të shquar Tefta Tashko Koço, që ngjall interes dhe kureshtje të veçantë te vizitorët vendas dhe të huaj.
Tefta Tashko Koço (1910-1947) ka qenë këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë janë bërë aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese.
Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote, Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë, si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muzikantë e të shquar popullorë të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar, Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence.
Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.
Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare.