Këngëtarja shqiptaro-amerikane Enisa Nikaj është nderuar nga Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut për kontributin e saj në këtë qytet. Enisa, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka ndarë lajmin në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen dhe reflektuar për trashëgiminë e saj.
Pavarësisht se ka lindur dhe është rritur në Nju Jork, Enisa theksoi rëndësinë e rrënjëve të saj shqiptare. “Prindërit e mi erdhën në Amerikë nga një qytet i vogël shqiptar në Mal të Zi pa asgjë. Edhe pse kam lindur dhe jam rritur në Nju Jork, ata gjithmonë janë kujdesur që të mos harroj kurrë kulturën tonë dhe rrënjët tona shqiptare nga Tuzi i Malit të Zi. Është e mahnitshme. Faleminderit Këshillit Bashkiak për këtë nder, shqiptarët dhe malazezët në mbarë botën mund të krenohen që janë ndër të parët që i hapin rrugën brezit të ardhshëm.
Enisa shquhet për talentin e saj unik vokal dhe një repertor këngësh që kanë fituar vlerësim ndërkombëtar, duke ndjekur gjurmët e shumë artistëve të tjerë shqiptarë që kanë lënë gjurmë në skenën botërore.
Njohja e saj nga Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut është një dëshmi e punës dhe përkushtimit të saj të palodhur, jo vetëm ndaj muzikës së saj, por edhe ndaj komunitetit dhe trashëgimisë kulturore. Ky nder feston arritjet e Enisës dhe nxjerr në pah ndikimin e rëndësishëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më gjerë.