Dibra, një krahinë e pasur me kulturë, traditë, gastronomi dhe e bekuar me një natyrë që lë mbresa, është kthyer në produktin më të ri në turizmin malor.
Dibra çeli sezonin turistik veror, ku përgjatë 3 ditëve janë parashikuar një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, ekspozita të ndryshme, histori, dokumentarë, traditë, kulinari tipike dibrane, rafting etj.
Paraditen e sotme në kuadër të “Dibra n’Fest”, u organizua parada e veshjeve popullore të zonës, të cilat bien në sy për ngjyrat e larmishme dhe punimet e bukura artizanale nga gratë e kësaj zone.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe çelja e ekspozitës fotografike “Ngjyrat e Dibrës”, një tjetër ekspozitë me monumentet natyrore dhe të kulturës së saj, dokumentari “Misionari i Melodisë”, rafting në Drin, shëtitje me pajton, veprimtari kulturore artistike të shkollave të rrethit,etj.
Ndërsa mbrëmja do të mbyllet me koncerte me artistë dibranë dhe talente të reja.
Përgjatë gjithë fundjavës qytetarë dhe turistë të huaj do të kenë mundësinë për të shijuar ushqimet tradicionale, vizituar panairin përgjatë pedonales dhe njohur më mirë bukuritë e kësaj zone me plotë potenciale.
Edhe gjatë ditës së djeshme u organizuan një sërë aktivitetesh, ndërsa mbrëmja u mbyll me koncertin e grupit të njohur Elita 5.
Zhvillimi i turizmit në zonën e Dibrës po shënon një epokë të re, sa i përket turizmit malor në vend.
Në Dibër numërohen rreth 23 liqene akullnajore, por ai është i pasur edhe me kulturë, folklor, si dhe ka njerëz mikpritës.