33 vjet më parë, në 7 tetor 1989, komuniteti shqiptar në New York mbajti një Seminar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit.
Rëndësia e kësaj veprimtarie shkon shumë më larg se ajo e një ngjarjeje komunitare, kulturore, apo akademike. Vështirë që edhe vetë organizatorët dhe pjesëmarësit e kësaj ngjarjeje të kenë qenë të ndërgjegjshëm sesa monumentale do të mbetej aktiviteti në histori.
Në veçanti historia do t’i mbetet mirënjohëse Tonin Mirakajt, një nga organizatorët kryesorë, drejtues i Seminarit dhe autor i një libri që përshkruan me hollësi ngjarjen.
Fakti që përkujtimi po bëhej i mundur nga një bashkëpunim të krishterësh e myslimanësh dëshmonte për frymëzimin mbarëshqiptar që prodhonte shembulli e kujtimi i Bogdanit.
Mes historisë së dikurshme dhe realitetit të kombit shqiptar në 1989, qendronte më mes komuniteti shqiptaro-amerikan. Kjo ngjarje shënon gjithashtu fillimin e një rilindjeje të madhe që do ta ngjiste komunitetin tonë në krye të sfidave kombëtare si kishte ndodhur vetëm në kohën e Nolit dhe të Konicës.
Seminari përkonte me daljen, si asnjëherë tjetër, në skenë të komunitetit katolik të Nju Jorkut që po e kthente suksesin ekonomik e shoqëror të dekadave në mërgim, në një forcë të madhe kombëtare. Familjet që dikur kishin mbërritur në këtë vend si mërgimtarë të rrënuar ia kishin dalë me sukses jo vetëm të mbijetonin po të realizonin ëndrrën amerikane. Ata kishin ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar, fetar me traditat kulturore e zakonore. E tani ishin gati për të dhënë më shumë për atdheun e largët.
Vetëm pak ditë, përpara Seminarit, udhëheqësit e komunitetit katolik kishin blerë truallin ku do të ngrihej Kisha e Zojës së Shkodrës, në Hartsdale, që është sot një nga tempujt kombëtarë të shqiptarëve të Amerikës. Të bashkuar në një kishë të vetme, katolikët shqiptarë njujorkezë ishin një komunitet në ngritje të pandalshme gati për të folur me një zë autoritar për fatin e kombit.
Kush më mirë se ata mund të bënte një Seminar në këtë 300-vjeçar të Pjetër Bogdanit.
Suksesi tyre ishte edhe një sukses i mbar komunitetit shqiptaro-amerikan. Ishte zemërngrohëse bujaria e bashkëpunimi me vëllezërit myslimanë e të feve të tjera për këtë ngjarje të madhe.
Ishte dëshmi e ambicies së re të këtij komuniteti që Seminari u zhvendos nga ku ishte menduar fillimisht, në mjedisin e një restoranti, në një nga hapërsirat e Fordham University. Ligjëruesit nuk do të ishin veprimtarë të njohur e egot e rënda të komunitetit, po studiues e intelektualë të vërtetë, me tituj akademikë e me vepra kushtuar trashëgimisë së Pjetër Bogdanit.
Ngjarjet e mëdha janë shpesh të tilla se rastisin me kthesa historike dhe ndikojnë në to. Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit kishte rëndësi se u parapriu ngjarjeve të mëdha shndërruese të kohës. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë do të rrëzohej komunizmi në Shqipëri, do të rivendoseshin lidhjet me SHBA-në, do të ligjërohej pluralizmi e me liritë fetare do të rihapeshin kishat e xhamiat.
Mes studiuesve të ftuar ishte edhe një emër që shumë shpejt do të bëhej më i njohuri i mbarë botës shqiptare. Në kohën, kur Tonin Mirakaj me shokë vendosën të ftojnë për në këtë Seminar Dr. Ibrahim Rugovën, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Jugosllavi. Ai u ftua si albanolog, studiues e njeri i letrave. Vetëm pak pas kthimit në atdhe, ai do të vihej në krye të partisë së parë demokratike në trojet shqiptare në epokën e re.
Mirëpo, ndonëse ky prezantim i parë me komunitetin në SHBA nuk ishte i natyrës politike, ai hodhi rrënjët e një bashkëpunimi politik që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit historik të Kosovës.