Rreth 100 civilë ukrainas po evakuoheshin nga uzina e rrethuar e çelikut Azovstal në qytetin port ukrainas të Mariupolit më 1 maj, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, pasi Kombet e Bashkuara konfirmuan se një “operacion kalimi i sigurt” ishte duke u zhvilluar atje.
“Mirënjohës për ekipin tonë! Tani ata, së bashku me [Kombet e Bashkuara], po punojnë për evakuimin e civilëve të tjerë nga uzina,” tha Zelenskiy në Twitter.
Të evakuuarit do të arrijnë në qytetin e Zaporizhzhya më 2 maj, shtoi ai.
Shpëtimi i shumëpritur erdhi ndërsa kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për Ukrainën kur u takua me Zelenskiy në një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.