Kompania ajrore serbe “AirSerbia” do të reduktojë numrin e fluturimeve për në Moskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kompania do të ketë vetëm një fluturim në ditë për në kryeqytetin e Rusisë, aq sa ka pasur para fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Ky vendim vjen pas kritikave se Serbia po u kundërvihet sanksioneve të Perëndimit për ndalimin e fluturimeve për në Rusi.
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, “AirSerbia” e ka dyfishuar numrin e fluturimeve drejt kryeqytetit rus dhe ka vënë në dispozicion avionë më të mëdhenj.
Kompania ajrore e Serbisë është e vetmja kompani evropiane që vazhdon të mbajë linjat me Rusinë, pas shpalljes së ndalimit të fluturimeve për në Rusi. Ky veprim i autoriteteve serbe u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe nga Ukraina.