Një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin paralajmëroi NATO-n të enjten se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj në rajon, duke përfshirë vendosjen e armëve bërthamore.
Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, dhe Suedia po mendojnë nëse do t’i bashkohen ose jo aleancës së NATO-s. Finlanda do të marrë një vendim në javët e ardhshme, tha të mërkurën kryeministrja Sanna Marin.
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s, atëherë Rusia do të duhet të forcojë forcat e saj tokësore, detare dhe ajrore në Detin Baltik për të rivendosur ekuilibrin ushtarak.
Medvedev gjithashtu ngriti në mënyrë eksplicite kërcënimin bërthamor duke thënë se nuk mund të flitet më për një Balltik “pa bërthama” – ku Rusia e ka enklavën e saj të Kaliningradit të vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.
“Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Balltikun – ekuilibri duhet të rivendoset”, tha Medvedev, i cili ishte president nga 2008-2012.