Udhëheqësi rus, Vladimir Putin, ka ngecur në një botë të izoluar për shkak të situatës që ai vetë nxiti – besojnë spiunët perëndimorë. Dhe kjo i shqetëson ata…
Për vite me radhë, ekipet e Inteligjencës së Huaj, perëndimore dhe amerikane, kanë kërkuar “të futen në mendjen e Putinit”, për të kuptuar më mirë qëllimet e tij. Teksa trupat ruse duket se janë bllokuar në Ukrainë, nevoja për të ditur synimet e tij, është bërë edhe më e nevojshme, pasi iu duhet të analizojnë se si lideri rus mund të reagojë nën presion. Të kuptuarit e gjendjes së tij, do të jetë thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e luftës.
Ka pasur spekulime edhe se Vladimir Putin mund të jetë i sëmurë, por shumë analistë besojnë se ai në fakt është bërë i mbyllur me botën e jashtme, për arsye të ndryshme. Paranojat e tij kanë qenë të dukshme edhe gjatë takimeve zyrtare – i tillë ishte rasti kur takoi presidentin Emmanuel Macron, duke e ulur atë në skajin tjetër të largët të tavolinës. E njëjta skenë u pa edhe gjatë mbledhjes me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, në prag të luftës.
Vendimmarrës i vetëm
Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, Putini vendos vetë për shumë çështje, duke mos marrë parasysh as sugjerimet e njerëzve të tij më të ngushtë. Në një situatë të tillë, sfida mbetet të kuptojmë se çfarë mund të bëjë më pas lideri rus.
“Sfida e të kuptuarit më tepër mbi lëvizjet e radhës të Kremlinit, qëndron në faktin se Putini është vendimmarrësi i vetëm në Moskë.”
John Sipher, ish-drejtues i operacioneve të CIA-s në Rusi
Putin, thonë zyrtarët e inteligjencës, është i izoluar në një flluskë të krijuar prej tij, në të cilën depërtojnë shumë pak informacione të jashtme.
“Ai është viktimë e propagandës së tij, në kuptimin që ai dëgjon vetëm një numër të caktuar njerëzish dhe censuron gjithçka tjetër. Kjo i jep Putinit një qasje të çuditshme ndaj botës. Rreziku qëndron në atë që në psikologji njihet si “mendim në grup”, ku secili përforcon pikëpamjen e tij. Nëse ai është viktimë e grupit, duhet të dimë se kush është grupi.”
Adrian Furnham, profesor psikologjie
Më parë, A2 CNN ka shkruar edhe për rrethin e ngushtë të Putinit, me të cilin ai bisedon dhe këshillohet. Duhet thënë, se ky rreth nuk ka qenë kurrë i madh, por kur vendosi për të pushtuar Ukrainën, ishte i detyruar të planifikonte skemën e mësymjes me një grup të besuarish. Mirëpo, që prej momentit kur Putini vendosi të sulmojë Ukrainën, u vu re se rrethi i tij i brendshëm po bëhej gjithnjë e më i vogël. E kjo u pa qartë në mënyrën se si ai u soll publikisht me kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, në mbledhjen e sigurisë kombëtare pak para pushtimit.


Ata që e kanë vëzhguar liderin rus prej kohësh, thonë se ai është i shtyrë nga dëshira për të rikthyer një Rusi të lavdishme, dhe është i bindur se Perëndimi po kërkon të nënshtrojë Rusinë, duke e larguar atë nga pushteti. Një person që e takoi Putinin, kujton fiksimin e tij për të parë videot e vrasjes së kolonelit libian Gaddafi, pasi ai u dëbua nga pushteti në vitin 2011.
A është i çmendur presidenti rus?
Kjo është një pyetje që e kanë bërë shumë në Perëndim. Ekipet që përpiqen të kuptojnë psikologjinë e liderëve që urdhërojnë nisjen e konflikteve dhe luftërave, datojnë që nga orvatjet për të kuptuar diktatorin nazist, Hitler. Ata studiojnë rrethanat historike, si dhe shëndetin e liderëve, duke u mbështetur në inteligjencën sekrete.
Burime të tjera për të interpretuar sjelljet e Putinit, janë edhe kontaktet e drejtpërdrejta që ai ka pasur me liderët e shumtë. Në vitin 2014, Angela Merkel thuhet se i tha Presidentit Obama se zoti Putin po jetonte “në një botë tjetër”. Presidenti Macron kur u takua me Putinin së fundmi, u tha se ishte përballur me një udhëheqës rus “më të ngurtë, më të izoluar”, krahasuar me takimet e mëparshme. Disa spekulojnë, pa shumë prova, për sëmundje të mundshme ose ndikimin e ilaçeve. Të tjerë, analizojnë faktorë psikologjikë, të tilla si ndjenja se po i vjen fundi epokës së tij politike dhe se ende nuk ka arritur të përmbushë atë që ai e sheh si “misionin” e tij për të mbrojtur Rusinë.