Madeleine Albright, e para Sekretare Amerikane e Shtetit, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar me anë të një email-i për stafin e Albright Stonebridge Group, një firmë e themeluar nga Albright.
Madeleine Albright ka qenë figurë kryesore e administratës së Presidentit Bill Clinton, fillimisht duke shërbyer si ambasadorja amerikane në OKB, përpara se të bëhej Sekretare Shteti.
Ajo punoi për zgjerimin e NATO-s, këmbënguli që aleanca të ndërhynte në Ballkan, kërkoi të ndalej zgjerimi i armëve bërthamore dhe luftoi për të drejtat e njeriut dhe demokraci në të gjithë botën. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.