Giorgia Meloni është bërë kryeministrja e parë grua e Italisë duke formuar një qeveri të koalicionit të krahut të djathtë.
Mëngjesin e së premtes, më 21 tetor, Meloni dhe partnerët e saj të koalicionit, Silvio Berlusconi, lideri i “Forza Italia” dhe Matteo Salvini, kreu i partisë kundër emigracionit “Lega Nord”, u takuan me presidentin italian Sergio Mattarella në pallatin presidencial, i cili pranoi listën e ministrave të kabinetit të ardhshëm qeveritar.
Pas takimit Meloni u tha gazetarëve se koalicioni i tregoi presidentit se ajo ishte gati të merrte mandatin për të qeverisur.
Meloni dhe aleatët e saj përballen me një listë të gjatë sfidash, përfshi rritjen e çmimeve të energjisë, luftën në Ukrainë dhe një recesion të mundshëm ekonomik.
Meloni është liderja e partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, axhenda e së cilës i ka rrënjët në euroskepticizmin dhe frenimin e emigracionit masiv.
Në një postim në Twitter të enjten, Meloni shprehu angazhimin e saj të palëkundur për të udhëhequr një qeveri të re të unifikuar.
“Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë Italisë një qeveri që mund të trajtojë me kompetencë dhe me vetëdije sfidat dhe emergjencat e sotme,” tha ajo.
Entuziazmi i saj u nda nga anëtarët e tjerë të koalicionit të saj, me Salvinin që deklaroi se “ekipi është gati” ndërsa Berlusconi deklaroi se partia e tij, “Forza Italia”, do të jepte një “kontribut vendimtar” në krijimin e qeverisë së re.