Search
Close this search box.

Clark: Shpresoj që Kosova të ftohet së shpejti në NATO, Moska do destabilizimin e Ballkanit

Shpërndaje

Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes së gjenocidit të shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës. Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

Intervistoi: Alma Baxhaku

Për tensionimin e situatës në Europë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Clark ka thënë se është e qartë që Moska është e interesuar që të destabilizojë edhe Ballkanin, por thotë se shpreson që Kosova të marrë ftesën shpejt për anëtarësim në NATO. Po ashtu, Clark, si një ndër nismëtarët e shtetndërtimit të Kosovës, lavdëron të arriturat e saj, derisa e sheh si një shtet model në rajonin e trazuar ballkanik.

Për Serbinë thotë se mbetet me shpresë që të arrijë të shkëputet nga idetë e vjetra pansllaviste dhe t’i bashkohet modernizmit – larg ideologjisë së shëmtuar të Sllobodan Millosheviqit.

Ushtaraku amerikan thotë se Aleanca Veri-Atlantike duhet të rrisë sigurinë në Europë, pasi një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të rrezikonte stabilitetin. Clark thotë se duhet mbështetur Ukraina në çfarëdo forme, derisa potencon se një fushatë e bombardimeve sikur në rastin e Kosovës për momentin nuk është përgjigjja e duhur. Megjithatë, thekson se veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s në të ardhmen mund të jenë të nevojshme.

Gazeta Express: Po e shohim tani se sa të vështirë e ka NATO të ndërmarrë veprime për ndaljen e agresionit rus në Ukrainë si ato që ndërmori në vitin 1999 për të ndalë gjenocidin që po ndodhte në Kosovë nga agresioni serb. Sa të vështirë e patët marrjen e vendimit për të filluar kampanjën e bombardimeve kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit?

Wesley Clark : NATO ia kishte bërë të qartë Millosheviqit dhe kishte ndërmarrë veprime për të konfirmuar, se nëse ai rifillonte spastrimin etnik, ai do të përballej me fushatën e bombardimeve. Vendimi për të nisur fushatën [e bombardimeve] ishte marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga shefat e qeverive të NATO-s. Unë kam përgatitur koncept-planet dhe jam konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes.

Gazeta Express: Pas gjenocidit që ndodhi në Bosnje, a është dashur t’i besohet Millosheviqit kur ai thoshte se “Kosova është çështje e brendshme” dhe se “nuk do t’i lëndonte njerëzit e tij”? A ka qenë e mundur të parandaloheshin masakrat që ndodhën?

Wesley Clark :  Realisht, nuk ishte e mundur përfshirja e Kosovës në Procesin e Paqes së Dejtonit dhe kështu u deshën sulmet e përshkallëzuara serbe në vitin 1998 për të sjellë nevojën që NATO të merret me Kosovën.

Gazeta Express: A kishte vërtet rrezik për nisjen e Luftës së Tretë Botërore pas hyrjes së forcave ruse në Prishtinë në vitin 1999?

Wesley Clark :  Jo, nuk kishte një rrezik të tillë. Ai ishte thjesht një shqetësim i ekzagjeruar që e shprehu një gjeneral britanik duke qenë nën stres të madh.

Gazeta Express: Madeleine Albright vdiq një ditë para 23 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, të cilën ajo e konsideroi si krenarinë më të madhe. Si e mbani mend atë?

Wesley Clark : Sekretarja Albright ishte një lidere e fuqishme, parimore, e cila mbronte lirinë dhe demokracinë  – ajo ia dedikoi jetën këtyre parimeve. Ajo besoi se SHBA-ja duhet të udhëhiqte. Ajo mund të ishte e ashpër si përkrahëse për të ndërmarrë veprimet e duhura. Unë isha gjithmonë mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e saj.

Gazeta Express: Si e shihni Kosovën tani? A ka progres?

Wesley Clark : Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është në rrugën e saj për t’u bërë modele e lirisë dhe demokracisë në rajon. Jam shumë i kënaqur që SHBA-ja ishte në gjendje të ndihmonte popullin e Kosovës në nisjen e këtij udhëtimi. Tani Kosovës i duhen më shumë investime, vazhdimësi të politikave të mençura dhe aftësi për të menaxhuar punët e shtetit për të ndërtuar themelet e sigurisë dhe ekonomisë së saj në një rajon të trazuar.

Gazeta Express: Ka frikë dhe shqetësime në Ballkan që konflikti në Ukrainë mund të përhapet edhe në rajon, sidomos në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. A mendoni se ka rrezik real dhe si duhet të veprojë NATO në këtë rast?

Wesley Clark : Shihet qartë që Rusia është e interesuar në destabilizimin e Ballkanit, por kjo s’ka ndodhur deri më tani. Bashkimi Europian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet në divorcimin e saj nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO.

Gazeta Express: Në këtë kontekst, ka ministra dhe zyrtarë serbë që ende nderojnë kriminelin e luftës, Millosheviq. A mendoni që trashëgimia e tij është ende e gjallë?

Wesley Clark : Ka ende grupe radikale në Serbi dhe një nostalgji të zjarrtë për ëndrrat e shëmtuara të frymëzuara nga Millosheviqi. Kjo është për të ardhur keq; Serbia duhet të përballet me Perëndimin për të gjetur të ardhmen e saj të drejtë.

Gazeta Express: 23 vjet pas, sërish një agresion po ndodh ndaj një vendi europian. A mendoni që NATO duhet të ndërhyjë siç bëri në Kosovë?

Wesley Clark: NATO duhet të gjejë mënyra për të forcuar sigurinë në Europë; Një pushtim rus në Ukrainë do ta vendoste në rrezik NATO-n dhe stabilitetin në Europë. Tani për tani, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet duke dhënë mbështetje të plotë diplomatike, humanitare dhe ushtarake. Një fushatë ajrore e NATO-s, siç bëmë për Kosovën, nuk është përgjigjja e duhur në këtë pikë, por veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s mund të jenë të nevojshme në një moment të ardhshëm./GazetaExpress/

 

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Atlantiku

Author

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme