Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të zhvillojnë sot një rund të ri bisedimesh për paqe. Dmitry Peskov, negociator i Rusisë dhe sekretar për media i presidentit rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se bisedimet do të zhvillohen përmes video-konferencës.
Mykhailo Podolyak, negociator i Ukrainës dhe këshilltar i presidentit të këtij vendi, Volodymyr Zelensky, e konfirmoi deklaratën e Kremlinit.
Të dielën, Zelensky tha se delegacioni i tij është në bisedime me homologët rusë çdo ditë.
“Delegacioni ynë ka një detyrë të qartë – të bëjë gjithçka për të siguruar një takim të presidentëve. Takim që jam i sigurt se njerëzit po e presin”, tha Zelensky në një video-adresim.
Rusia ka thënë më herët se Kremlini nuk do të refuzonte një takim të tillë, për të diskutuar çështje “specifike”, por nuk ka pasur detaje të mëtejshme në këtë drejtim.
Ushtria ruse ka sulmuar një bazë stërvitore ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Javoriv. Së paku 35 njerëz janë vrarë dhe mbi 130 janë plagosur.
Luftimet në zonat jashtë kryeqytetit Kiev kanë vazhduar. Një gazetar amerikan është qëlluar për vdekje në qytetin pranë, Irpin. Brent Renaud, 50 vjeç, ka punuar më herët për gazetën New York Times. Shefi i policisë së Kievit, Andriy Nebytov, ka thënë se ai është qëlluar nga ushtarët rusë.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në gati 2.7 milionë. Shifra e të zhvendosurve të dielën është rritur për më shumë se 100,000 krahasuar me një ditë më herët. Shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.