Është ndarë nga jeta regjisorja e njohur nga Kosova, Vjosa Berisha e cila po trajtohej në Angli pas diagnostikimit me kancer.
Lajmi u bë i ditur nga bashkëshorti i saj Fatos Berisha i cili shkruan se Vjosa, e cila po merrte mjekim në spitalin ‘University College Hospital’ në Londër ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me kancerin.
Vjosa Berisha ishte themeluese e festivalit PriFilmFest, edicioni i 14-të i të cilit është planifikuar për 26-30 korrik, ndërsa për t’i mbështetur filmbërësit e Ukrainës, ky edicion do të jetë nikoqir i edicionit të 13-të të Odesas.
E diplomuar në master të Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë, Vjosa Berisha ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit.
Që nga viti 2013-të, Vjosa Berisha është gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.
Gjithashtu ajo ishte producente e dy filmave artistikë, “Cirku Fluturues” (2019) me skenaristin dhe regjisorin Fatos Berisha dhe bashkëprodhoi filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) me regjisorin Borjan Zafirovski.