Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në selinë e BE-së në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Osmani para fillimit të Samitit në prononcim për gazetarët ka thënë se shpreson që të arrihet një dakord për liberalizim të vizave për Kosovën, ndonëse nuk dëshiron që të rrisë pritjet.
“Unë sigurisht se shpresoj. Nuk dua të rrisë pritjet, pasi ky proces nuk është më në duar tona. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret sa i përket liberalizimit të vizave dhe atë qysh para 4 vjetëve e po ashtu i është përgjigjur gjitha shqetësimeve që kanë pasur shtetet anëtare. Është koha që shtetet anëtare të BE-së të përkrahin këtë, pasi është padrejtësi e madhe ndaj njerëzve të Kosovës. Qindra miliona njerëz nga gjithë bota, përfshirë nga Venezuela, kanë liri të lëvizjes. E njerëzit e Kosovës me më pak se 2 milionë banorë nuk e kanë këtë. Ne i kemi plotësuar gjitha kriteret. Komisioni Evropian ka konfirmuar këtë, Parlamenti Evropian e ka thënë këtë. Shtetet anëtare të BE-së duhet të dëgjojnë zërin e njerëzve të tyre që është reflektuar në Parlament Evropian”.
Osmani ka thënë se në Bruksel është për të folur në emër të njerëzve të Kosovës.
“Ne i përkasim familjes evropiane, kemi kontribuar me shekujt për vlerat për të cilat qëndron BE-ja. Po ashtu jam këtu për të dërguar mesazh të fortë nga njerëzit e Kosovës se na duhet një mesazh i qartë dhe i bashkuar nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor, pasi sa më tepë të ketë hapësirë për faktorët malinj ata do ta përdorin këtë”.
Osmani ka thënë po ashtu se përkrah kandidaturën e Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësim në BE, dhe se anëtarësimi i tyre vetëm sa do të ishte në përfitim edhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pasi BE-ja do ta kuptonte se është e rëndësisë gjeostrategjike e gjeopolitike.
“Njerëzit e Ukrainës e Moldavisë e meritojnë, pasi ata njerëz si qytetarët e Kosovës, qëndrojnë me vlerat e BE-së dhe janë të gatshëm të japin jetën për t’iu bashkuar BE-së e të qëndrojnë me vlerat evropiane”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se Kosova ka vetëm rrugën euroatlantike dhe se do ta vazhdojë atë drejtim, ndryshe nga Serbia që po tenton të ecë në dy rrugë, atë të Moskës dhe të BE-së.
“Deri tash, fatkeqësisht Serbia s’ka treguar vullnet për t’u rreshtuar me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Në këtë drejtim, pos që po e dëmton perspektivën e saj evropiane, po e dëmton edhe rajonin me ndikimin rus”, tha Osmani.