Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Rusia po përdor si mjet lufte furnizimet ushqimore, teksa çmimet e drithërave, vajrave ushqimore dhe produkteve të tjera po rriten gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Ukraina konsiderohet si një prej prodhueseve më të mëdha në botë të grurit.
“Në Ukrainën e okupuar nga Rusia, ushtria e Kremlinit po konfiskon stoqe me drithëra dhe makineri… dhe luftanijet ruse në Detin e Zi po bllokojnë anijet ukrainase të mbushura me grurë dhe fara luledielli”, tha von der Leyen gjatë adresimit para Forumit Botëror Ekonomik, në Davos të Zvicrës më 24 maj.
“Rusia tani po grumbullon eksportet e veta të ushqimit si formë e shantazhit – duke bllokuar furnizimet me qëllim që të rrisë çmimet botërore, apo duke ofruar grurë në këmbim të mbështetjes politike…. Kjo do të thotë të përdorësh urinë dhe drithërat për të fituar pushtet”.
Ajo tha se disa prej këtyre ngjarjeve ia kanë kujtuar “kohërat e të kaluarës së errët të konfiskimit të të korrave nga sovjetikët dhe urinë shkatërruese të viteve ‘30”, një referencë për urinë që vrau miliona ukrainas.
Rusia ka thënë se çmimet ushqimore janë rritur për shkak të vendosjes së sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Moskës në përgjigje të luftës në Ukrainë.
Qeveria gjermane e ka akuzuar Rusinë se po bllokon një dërgesë prej 20 milionë tonë drithëra nga Ukraina, ndërkaq presidenti polak, Andrzej Duda, ka thënë se mungesa e furnizimeve mund të nxisë një valë të re të migrantëve nga Afrika e Veriut për në Evropë.
Von der Leyen tha se mënyra më e mirë për të ndaluar Rusinë që të pengojë zinxhirin e furnizimeve ushqimore është përmes bashkëpunimit global.