Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, do të vazhdojë të premten, 13 maj, në Bruksel.
Sikur edhe herët tjera, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kenë së pari takime dypalëshe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak e më pas palët mund të kenë takim të përbashkët.
Delegacionin e Kosovës e udhëheq, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Sipas burimeve brenda Bashkimit Evropian, diskutimet do të vazhdojnë për temat që janë diskutuar tri javë më parë, duke përfshirë çështjen e targave të makinave.
Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate për këtë temë, edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuese që të arrijnë një marrëveshje.
Pas takimit të fundit, BE-ja pati dalë me një deklaratë që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, regjimi me letra ngjitëse do të vazhdojë të zbatohet.
Sipas zyrtarëve të BE-së mandati prej gjashtë muajsh ka qenë për grupet punuese e jo për të arritur zgjidhjen finale.
Tani kjo çështje do të diskutohet në nivel të kryenegociatorëve.