Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe liderët e tjerë të G7 do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një takim virtual të dielën, tha të premten një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Bisedimet do të përqendrohen në zhvillimet e fundit të luftës, përpjekjet për të forcuar Ukrainën dhe mënyrat për të demonstruar “unitetin e vazhdueshëm të G7 në përgjigjen tonë kolektive, duke përfshirë vendosjen e kostove të rënda për luftën e Putinit”, tha të hënën një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Udhëheqësit e vendeve të G7-ës, të cilët përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Kanadanë dhe Italinë, do të mbajnë takimin e tyre virtual me Zelenskyn të dielën në mëngjes, shtoi zëdhënësi.
SHBA dhe aleatët e saj janë bashkuar më parë për një mori sanksionesh gjithëpërfshirëse që synojnë bankat, zyrtarët dhe entitetet e tjera ruse që synojnë të ndëshkojnë Moskën për veprimet e saj, duke përfshirë krimet e supozuara të luftës. Rusia e karakterizon pushtimin e saj si një operacion special për çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e Ukrainës.
Të mërkurën, Biden tha se planifikonte të diskutonte masat e mundshme shtesë kundër Moskës për luftën e saj të vazhdueshme dhe intensifikuar në Ukrainën fqinje, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara ishin gjithmonë të hapura për më shumë sanksione.
“Unë do të flas me anëtarët e G7 këtë javë për atë që do të bëjmë apo nuk do të bëjmë,” u tha ai gazetarëve këtë javë, pasi Bashkimi Evropian propozoi sanksionet e tij më të ashpra deri më tani kundër Rusisë, duke përfshirë një embargo me faza të naftës.