Thirrjet për njohje të Kosovës nga katër autorë grekë janë publikuar në të përditshmen greke “Ta NEA” në edicionin e kësaj fundjave.
Një nga autorët, shkrimi i të cilit po ashtu është i publikuar në këtë gazetë është edhe Ioannis Armakolas, bashkëpunëtor i lartë, hulumtues dhe drejtues i programit të Evropës Juglindore në “Hellenic Foundation for Europian and Foreign Policy”.
Ai ka bërë thirrje që Greqia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Në thirrjen e tij, Armakolas ka shkruar se diplomacia greke është e përhumbur nga sindroma që dobësojnë rolin e saj ndërkombëtar.
“Mosnjohja e shtetit të sapoformuar është pasojë e politikës sonë të gabuar dhe të dështuar gjatë luftërave jugosllave. Politika jonë për çështjen e Kosovës na mban të bllokuar në dilemat diplomatike të së kaluarës, ndërsa njëkohësisht dobëson rolin tonë rajonal. Gjithashtu kontribuon, të paktën në mënyrë indirekte në mbajtjen e rajonit në pasiguri gjeopolitike, për shkak të mos ankorimit në institucionet perëndimore”, ka shkruar ai.
Prandaj, sipas tij, argumentet e atyre që refuzojnë njohjen e Kosovës janë fobike dhe tregojnë moskuptim të realitetit bashkëkohor ballkanik.
Ai ka përmendur edhe reagimin e Serbisë, nëse Greqia do ta njihte shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, në të kaluarën Beogradi është mbështetur tepër në Athinën, edhe kur Serbia zgjodhi politika të pamatura që shkonin kundër interesit kombëtar të Greqisë. Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se Serbia po kultivon sistematikisht një bashkëpunim të ngushtë me regjimin e Erdoganit, i cili, sipas tij, pa sukses deri më tani, po përpiqet të bëhet një “patron” ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës.
Greqia është një nga pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës.