Presidentja Vjosa Osmani, ka kritikuar rolin e Bashkimit Evropian karshi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nuk po e respekton parimin e barazisë së palëve.
Në një deklaratë për Klan TV, Osmani ka thënë se BE-ja ende nuk ka folur me gjuhë të qartë publike sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë.
“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia në praktikë vazhdon të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, që të ndërpresë një praktikë të tillë ku janë prezentë në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion, pra e bllokojnë çdo marrëveshje”, është shprehur ajo.
Mes tjerash, ajo ka përmendur kritikat e vazhdueshme të BE-së karshi Kosovës.
“Është vetëm një marrëveshje që nuk është zbatuar sepse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese, por BE-ja ka qenë shumë e zëshme në këtë drejtim”.
Osmani ka theksuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm, ndërsa ka shtuar se i gjithë procesi i dialogut do të jetë i fokusuar në njohjen reciproke.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndodhur në Korrik të vitit të kaluar.