Në një muaj luftime në Ukrainë, Mariupol është kthyer në qytetin më të bombarduar dhe më të dëmtuar. Këto sulme të vazhdueshme ruse në Mariupol, tregojnë se ky qytet është kyç për qëllimet e Moskës. Por pse?
BBC rendit katër arsye kryesore pse marrja e këtij qyteti-port do të ishte një fitore strategjike për Rusinë dhe një goditje e madhe për Ukrainën.
1. Sigurimi i një korridori tokësor midis Krimesë dhe Donbasit
Gjeografikisht, qyteti i Mariupolit është vetëm një zonë e vogël në hartë, por tani shërben si rrugëkalim për forcat ruse në Detin e Zi. Gjenerali Richard Barrons, ish-komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar, thotë se kapja e Mariupolit është jetike për përpjekjet luftarake të Rusisë.
Nëse Mariupol do të kapej, Rusia do të merrte në kontroll të plotë më shumë se 80% të vijës bregdetare të Ukrainës në Detin e Zi, duke ndërprerë kështu tregtinë e saj detare dhe duke e izoluar më tej atë nga bota. Mirëpo llogaritë e Kremlinit për të pushtuar shpejt qytetin nuk po dalin sipas parashikimeve, pasi po përballen me rezistencën e pathyeshme deri më tani të forcave ukrainase. Në një situatë të tillë, komandantët rusë po përdorin taktikat mesjetare të rrethimeve dhe izolimeve.
Porti i Mariupol në Detin Azov
Ata kanë goditur Mariupolin me artileri, raketa dhe bomba – duke shkatërruar mbi 90% të qytetit. Rusët gjithashtu kanë ndërprerë energjinë elektrike, ngrohjen, ujin e freskët, ushqimin dhe furnizimet mjekësore, duke shkaktuar një katastrofë humanitare. Për këtë fatkeqësi që po ndodh, Moska fajëson Ukrainën pasi ka refuzuar të dorëzohet, sipas afatit që i ishte dhënë. Ndërsa një deputet ukrainas, ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të lërë Mariupolin “të vdesë nga uria” për t’u dorëzuar.
Ukraina është zotuar të mbrojë qytetin deri në ushtarin e fundit. Trupat ruse po depërtojnë në qendër dhe në mungesë të ndonjë lloj marrëveshjeje paqeje, Rusia ka të ngjarë të intensifikojë bombardimet e saj, duke bërë pak ose aspak dallim midis mbrojtësve të armatosur dhe popullsisë civile të rrethuar, e cila ende numëron mbi 200 000 persona.
Nëse Rusia merr kontrollin e plotë të Mariupolit, kjo do të çlironte afërsisht 6000 trupa të saj, të cilët janë organizuar në grupe taktike batalioni prej 1000 trupash, që menjëherë më pas do të shkonin në ndihmë të fronteve të tjera ruse në Ukrainë.
Ekzistojnë një sërë mundësish se ku mund të rishpërndahen:
- Në verilindje të Ukrainës, për t’iu bashkuar betejës dhe për të shkatërruar forcat e armatosura ukrainase që luftojnë separatistët pro-Kremlinit në rajonin e Donbasit.
- Në perëndim, për të depërtuar drejt Odesës, e cila do të ishte dalja e fundit kryesore e mbetur e Ukrainës në Detin e Zi.
- Në veriperëndim drejt qytetit të Dnipro.
2. Shkatërrimi i ekonomisë së Ukrainës
Mariupol ka qenë prej kohësh një port i rëndësishëm strategjik në Detin Azov, pjesë e Detit të Zi. Ai është porti më i madh në rajonin e Detit Azov dhe vendi i një fabrike të madhe hekuri dhe çeliku. Në kohë normale, Mariupol është qendër kryesore e eksportit për çelikun, qymyrin dhe misrin e Ukrainës që shkojnë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Mbrojtja prej betoni në një plazh, pranë portit të Mariupolit
Për tetë vjet tashmë, që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Moska në vitin 2014, qyteti është përfshirë shpesh në konflikte midis forcave ruse në atë gadishull dhe separatistëve pro-Kremlinit në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk. Humbja e Mariupolit do të ishte një goditje e madhe për atë që ka mbetur nga ekonomia e Ukrainës.
3. Mundësi propagande
Mariupol është shtëpia e një njësie të milicisë ukrainase të quajtur Brigada Azov. Kjo Brigadë përbëhet nga ekstremistë të djathtë, duke përfshirë dhe neonazistë. Megjithëse ata përbëjnë pjesën më të vogël të forcave luftarake të Ukrainës, ky ka qenë një mjet i dobishëm propagande për Moskën, duke i dhënë asaj një pretekst për t’i thënë popullatës ruse se të rinjtë që ajo ka dërguar për në Ukrainë, janë atje për të luftuar dhe mbrojtur fqinjin e tyre nga neonazistët.
Kampi stërvitor i Batalionit Azov afër Mariupolit, shkurt 2019
Nëse Rusia arrin të kapë të gjallë një numër të konsiderueshëm luftëtarësh të Brigadës Azov, ka të ngjarë që ata të bëhen lajm në çdo media të kontrolluar nga shteti rus, si pjesë e luftës së vazhdueshme për të diskredituar Ukrainën dhe qeverinë e saj.
4. Ngritja e moralit
Marrja e Mariupolit nga Rusia, do të jetë psikologjikisht domethënëse për të dyja palët në këtë luftë. Një fitore ruse në Mariupol do t’i mundësonte Kremlinit t’i tregonte popullatës së vet se Rusia po i arrin qëllimet e saj dhe po bën përparim. Për presidentin Putin, për të cilin kjo luftë duket të jetë personale, e gjithë kjo ka një rëndësi historike. Ai e sheh vijën bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës si pjesë e asaj që quhet Novorossiya (Rusia e Re) – tokat ruse që datojnë nga perandoria e shekullit të 18-të.
Gërmimi i varreve buzë rrugës në Mariupol, 20 mars
Putini dëshiron të ringjallë këtë koncept, “duke i shpëtuar rusët nga tirania e një qeverie properëndimore në Kiev”, siç e sheh ai. Por për ukrainasit, humbja e Mariupolit do të ishte një goditje e madhe, jo vetëm ushtarakisht dhe ekonomikisht, por edhe për moralin e burrave dhe grave që luftojnë në terren, duke mbrojtur vendin e tyre. Mariupol do të ishte qyteti i parë i madh që do të binte në duart e rusëve, çka do t’i jepte luftës një kthesë madhore.