Mosmarrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhet dhe shumë njerëz po punojnë për këtë, tha diplomati i parë i BE-së, Josep Borrell. Shpresat janë që kjo të ndodhë para fundit të qershorit të këtij viti
Shkup, 19 mars – Shefi i diplomacisë të BE-së, Josep Borrell, shpreson se Shkupi dhe Sofja do të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në BE deri në fund të presidencës aktuale franceze. Parisi mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor, pas së cilës kryesimin e merr Republika Çeke. Në një intervistë për DW, Borrell thotë se ende nuk po mendon për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nga rruga e përbashkët drejt BE-së. “Për momentin, këshilli ka vendosur që është më mirë që të dy vendet të vazhdojnë së bashku. Të dy vendet shkojnë së bashku për të pasur sinergji, kursime në procedura dhe është mirë kur ka më shumë. Por sigurisht që ka probleme mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i zgjidhim këto probleme. Shumë njerëz janë të angazhuar plotësisht në të. Unë personalisht, por edhe shumë të tjerë. Kam shpresën, përmes angazhimit tim e shumë të tjerëve, komisionerit Varhei, Presidentit të Komisionit Evropian, Presidentit të Këshillit, për të zgjidhur çështjen dhe që dy vendet të fillojnë negociatat deri në fund të Presidencës franceze”, tha Borrell.
I pyetur nëse lufta në Ukrainë do të përshpejtonte apo ngadalësonte vendimin për fillimin e negociatave, Borrell vlerëson se bëhet fjalë për një moment historik dhe bëri thirrje për përshpejtimin e zgjidhjes së çështjeve që pengojnë fillimin e negociatave. “Lufta në Ukrainë është një thirrje zgjimi për të gjithë Evropën. Lufta në Ukrainë theksoi nevojën për unitet më të madh. Ajo tregon nevojën për të mos lënë Ballkanin Perëndimor të mbetet prapa zhvillimit evropian. Lufta në Ukrainë tregon se Evropa duhet të jetë më e fortë, më e bashkuar dhe të përshpejtojë disa nga proceset që kanë mbetur prapa. Mendoj se është një mundësi e mirë, është një moment historik dhe dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces që të shtojnë përpjekjet e tyre për të kapërcyer problemet dhe që dy vendet të fillojnë negociatat para përfundimit të presidencës franceze”, potencoi Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së shpjegoi se Ballkani Perëndimor ka qenë i rëndësishëm për BE-në deri tani dhe në të ardhmen, dhe shtoi se lufta në Ukrainë ishte një katalizator që edhe më shumë vëmendja e Brukselit të kthehet në rajon. “Rusia do të rrisë ndikimin e saj në Ballkan, do të përpiqet të fitojë njerëzit përmes shumë fushatave dezinformuese, do të përpiqet të bindë njerëzit se po luftojnë kundër nazizmit, se Zelenski është një kriminel lufte, se ai thuhet se ka kryer gjenocid ndaj rusëve. Ne duhet të luftojmë kundër kësaj narrative dhe ka shumë dezinformata ruse në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Borrell. (koha.mk)