Kryeministri Edi Rama ka pritur sot përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian Joseph Borrell.
Gjatë një konference të përbashkët për media, Rama është shprehur se procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, ka ngecur për shkak të bllokimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria.
Rama tha se me Borrell u diskutua edhe në raport me agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që janë shfaqur në Europë.
Kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar Borrell që nëse Bashkimi Europian do të ketë një plan mbështetjeje për krizën, për shkak të luftës në Ukrainë, të mos i lërë jashtë këtij plani vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Lufta në Ukrainë, dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm në Europë, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve, kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si dhe qëndrimin e Shqipërisë në të njëjtën linjë me BE, në raport me Rusinë dhe agresionin rus mbi ukrainën, por natyrisht pjesë e diskutimit ka qenë dhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Dhe konkretisht e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, gjë për të cilën besoj, Borrell do të flasë vetë. Unë kam përsëritur atë që dihet botërisht se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vetë natyral, dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, Paris apo qoftë edhe Uashington. Ne jemi anëtarë krenarë të një aleance të madhe si NATO. Dhe po ashtu krenarë për qënien tonë europianë. Për të gjitha këto arsye ne jemi sot në këtë pozicion, ky është një pozicion që na imponojnë fëmijët tanë. Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne e njohim mirë, të mungesës të së drejtave dhe lirive, të izolimit dhe dhimbjeve të imponuara nga një regjim autoritar dhe botës që kemi sot, e cila mund të jetë patjetër shumë më e mirë se çfarë është. Dhe në Ukrainë luhet fati i kësaj bote që kemi. Folëm për çësthjen e çeljes së bisedimeve. Kjo është një çështje e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian, që nuk ka arritur ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikur të ishin hapur bisedimet. Kjo është çësthje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera. Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor, do të ishte mirë ta bënte, dhe nëse nuk e bën ne këtu jemi prapë dhe presim kur të bëhet. Fola me përfaqësuesin e lartë të BE, për domosdoshmërinë që nëse BE do të ketë një plan për të mbështetur vendet, qoftë për përballimin e krizës energjitike, qoftë për pasojat e tjera, të mos e lerë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Të përshpejtohet edhe ndërtimi i koridorit të tetë.