Udhëheqësit de-fakto të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në javët e fundit kanë refuzuar që të caktojnë biseda telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në kohën kur ShBA-ja dhe aleatët e saj po përpiqen që ta mbajnë nën kontroll rritjen e çmimeve të energjisë, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Sipas gazetës “Wall Street Journal”, që citoi zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindja e Mesme, princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe Mohammed bin Zayed al Nahyan i Emirateve të Bashkuara Arabe kanë qenë të paqasshëm për Bidenin, pasi Shtetet e Bashkuara kishin bërë kërkesë për diskutime.
“Ishin ca pritje për një telefonatë, por nuk ndodhi. Ishte pjesë e lëshimit të rubinetit (të naftës saudite)”, tha një zyrtar amerikan rreth planit që princi saudit dhe presidenti amerikan të bisedonin në telefon, shkruan “The Guardian”.
Javën e kaluar, shtetet anëtare të organizatës “OPEC+”, ku përfshihet edhe Rusia, refuzuan që ta shtonin prodhimin e naftës pavarësisht kërkesave nga Perëndimi.
Megjithatë, raportet për komunikim të ftohtë me Arabinë Saudite vijnë në kohën kur administrata e Bidenit po synon që ta shtojë furnizimin me naftë, pasi të martën e ndaloi importimin e naftës ruse, duke e çuar çmimin në 130 dollarë për fuçi – niveli më i lartë në 14 vitet e fundit.
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në disa vjet, kanë hapur kanale diplomatike me Venezuelën, aleate e Rusisë dhe shteti me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Venezuela tashmë ka liruar të paktën dy amerikanë nga burgu si shenjë e qartë e vullnetit të mirë ndaj administratës së Bidenit në një prelud të mundshëm para rritjes së prodhimit për ta qetësuar rritjen e çmimeve.
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë ftohur gjatë administratës Biden për shkak të politikave amerikane në rajonin e Gjirin Persik.
Në mesin e çështjeve përfshihen ringjallja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, mungesa e përkrahjes amerikane për ndërhyrjen saudite në luftën civile të Jemenit dhe refuzimi i Shteteve të Bashkuara që t’i fusë rebelët Houthi në listën e grupeve terroriste.
Më herët këtë javë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se nuk ka plane që Bideni dhe Princi Mohammed të bisedojnë së shpejti dhe se nuk ka plane që presidenti amerikan të udhëtojë për në Riad të Arabisë Saudite.
Yousef Al Otaiba, ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara, i konfirmoi raportet e tensionuara mes dy vendeve. “Sot, ne po kalojmë nëpër një test stresi, por unë kam besim që do të dalim prej tij dhe do të arrijmë në një vend më të mirë”, tha ai.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe konsiderohen si dy furnizueset e vetme globale me kapacitet për të prodhuar më shumë naftë për ta qetësuar rritjen e çmimeve.
Raportohet se zyrtarë të lartë amerikanë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit kanë udhëtuar në Riad dhe Abu Dabi në javët e fundit për të bërë përfaqësime të drejtpërdrejta të Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se Bideni dhe babai i Princit Mohammed, Mbreti Salman, kanë biseduar më 9 shkurt. Përmes kësaj telefonate, ata e afirmuan bashkëpunimin strategjik dhe ekonomik të vendeve të tyre. Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se telefonata mes Bidenit dhe Mohammed bin Zayed al Nahyan-it mund të caktohet për një datë të re./Gazeta Nacionale