Dhuna fizike, dhuna seksuale, privilegji i burrit, izolimi, përulja, mohimi, fajësimi, intimidimi, kërcënimi, abuzimi emocional ose abuzimi ekonomik, janë tregues nëse një grua është duke u abuzuar në një marrëdhënie nga partneri i saj.
“Nëse keni përjetuar njërën nga këto elemente, kjo është një tregues se ju jeni në një marrëdhënie të pashëndetshme dhe abuzive” thotë aktivistja shqiptaro-amerikane kundër dhunës në familje, Anila Duro për Atlantikun.
Duro e cila është profesore në Kolegjin e Drejtësisë Penale John Jay thotë se ikja e grave shqiptare nga një marrëdhënie abuzive që mund të përfundojë edhe tragjikisht, është e vështirë, sepse këtyre grave u mungon mbështetja e familjes.
“Kjo tregon se gratë shqiptare dhe gratë në përgjithësi, nuk e kanë mbrojtjen e familjes dhe njëkohësisht mungojnë mekanizmat që supozohet se do të duhej të siguronin mbrojtje për to. Po planifikoj të bëj një studim që të shoh se ku kemi dështuar për të mbrojtur këto gra. Nuk dëshirojmë të humbasim gra të tjera dhe është përgjegjësi e jona të analizojmë dhunën në familje dhe të bëjmë më shumë për ta kontrolluar dhe parandaluar atë”, thotë Duro.
Ky nuk është problemi i vetëm i viktimave të dhunës në familje. Viktimat ngurrojnë edhe të raportojnë rastet tek autoritetet përgjegjëse, sepse shumë herë institucionet e sigurisë kanë dështuar t’i mbrojnë ato.
“Viktimat frikësohen nga bashkëpunimi me policinë dhe kjo ndodh me të drejtë. Gratë nuk kanë përvoja të mira me autoritetet ose forcat e rendit dhe kjo e vështirëson raportimin e një krimi ose thirrjes për ndihmë. Në shumë raste gratë frikësohen të raportojnë abuzuesit e tyre për shkak të kërcënimeve që marrin. Ka raste kur u thuhet se nëse më lajmëron në polici do të të vras”, thotë Duro për Atlantikun.
Aktivistja thotë se çelësi për luftimin e kësaj dukurie shqetësuese në shoqërinë shqiptare është çrrënjosja e patriarkalizmit.
“Është e pamundur që të parandalojmë dhunën në baza gjinore për aq sa nuk e çrrënjosim patriarkalizmin. Por të paktën mund të provojmë ta kontrollojmë dhe të ofrojmë shërbimet e duhura për viktimat dhe të mbijetuarat. Gjithashtu duhet të fillojmë të mendojmë se çfarë shërbime do të ndihmonin burrat që ata të mos bëhen abuzues dhe që të kenë marrëdhënie të shëndetshme”, thotë Duro.
Niveli i arsimimit nuk është mburojë kundër dhunës në familje.
Dëshmitë tregojnë se viktimë e dhunës në familje mund të jetë çdo grua, pavarësisht shkallës së saj të edukimit.
“Në shoqërinë tonë vazhdon të ekzistojë një mit që thotë se edukimi është arma mbrojtëse e grave ndaj dhunës në familje dhe se gratë e arsimuara mund të largohen në çdo kohë nga marrëdhëniet abuzive. Studimi im bie ndesh me këtë mit. Prandaj ne duhet të flasim shumë më shumë rreth ndikimit që dhuna në familja ka mbi shoqërinë tonë”, përfundon Duro.
Aktivistja Duro synon që një ditë të krijohet një organizatë shqiptare që do të ofronte këshillime, mbështetje financiare dhe plane për të ikur nga një marrëdhënie abuzive, shërbime këto që do të ndihmonin të gjitha gratë që vuajnë nga dhuna. /Atlantiku.com/