Situata në Ukrainë ka bërë që shumë vende të botës të dalin në protesta për tu solidarizuar me popullin ukrainas dhe duke bërë thirrje për ndaljen e sulmeve nga ana e Rusisë.
E një gjë të tillë do ta bëjnë nesër edhe në Prishtinë qytetarët e Kosovës.
Organizatat joqeveritare dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë organizuar tubim për nesër nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Njoftimin e ka bërë deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
“Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h”, thuhet në njoftim.
Ai ka shkruar se në këtë tubim do të kërkohet ndalja e luftës dhe pushtimit të Ukrainës.
Njoftimi i plotë:
SOLIDARIZIM QYTETAR ME POPULLIN UKRAINAS
DITA: E Hënë, 07 Mars 2022,
ORA: 12:00
VENDI: Sheshi Skënderbej, Prishtinë
ORGANIZATORËT: Organizatat joqeveritare dhe Institucionet e Republikës së Kosovës
Lufta si rrjedhojë e agresionit Rus në Ukrainë po vazhdon të marrë përmasa shkatërruese para së gjithash për jetët e njerëzve, (fëmijëve, grave dhe të moshuarve) të cilët tashmë janë bërë cak i goditjeve Ruse.
Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h.
Mblidhemi para Teatrit Kombëtar është tregues i përcaktimit dhe bashkimit të popullit të Kosovës me të gjithë popujt paqedashës, që po protestojnë nëpër sheshet e të gjitha qyteteve të shteteve demokratike për ta kundërshtuar luftën dhe agresionin Rus dhe që hapur e pa hezitim po kërkojnë ndaljen e luftës dhe pushtimit të Ukrainës.
Ne si popull, gjatë agesionit Serb në Kosovë kemi gjetur përkrahjen nga shtetet dhe popujt demokratik në ditët me të vështira të historisë sonë të re, kësisoj solidarizohemi dhe bashkëndjejmë dhimbjen e madhe, që populli Ukrainas po kalon këto ditë.