Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë nesër një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, për të diskutuar për luftën në Ukrainë, ka njoftuar zëdhënësi Ibrahim Kalin, duke shtuar se Turqia është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e krizës.
Turqia, anëtare e NATO-s, ndan vijën bregdetare me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka raporte të mira me të dyja vendet, por është kundër sanksioneve të vëna ndaj Moskës, transmeton Telegrafi.
Ankaraja e ka cilësuar pushtimin rus si të papranueshëm dhe ka ofruar të jetë nikoqire e bisedimeve paqësore, të njëjtën kohë ka bërë thirrje për paqe.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Stamboll, Kalin tha se Erdogan sërish do t’i ofrojë Putinit ofertën e bërë më herët, dhe do t’i kërkojë të ofrojë “shanse” hapjes së korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.
“Mesazhi i presidentit tonë është që lufta dhe sulmet duhet të ndalen menjëherë, për të filluar bisedimet dhe t’i jepet shansi diplomacisë”, ka shtuar Kalin. /Telegrafi/