Bersant Celina do t’i lejojë refugjatët ukrainas të jetojnë në shtëpinë e tij në Norvegji, pasi mesfushori kosovar kërkon të ndihmojë ata pas luftës që ka filluar atje, me Rusinë që po tenton pushtimin e Ukrainës përmes luftës.
Reprezentuesi i Kosovës ka ofruar shtëpinë e tij të re për refugjatët ukrainas, të cilët mund të jetojnë atje pa paguar qira. Ai tha se kjo ishte ideja e babait të tij.
“Ishte ideja e babait tim. Ai mendoi se do të ishte mirë nëse do ta përdornim për të ndihmuar një familje që duhej të largohej nga Ukraina”, shpjegoi Celina, i cili ishte tre vjeç kur i shpëtoi luftës në Kosovë, për të ndërtuar një jetë të re në Norvegji.
“Natyrisht që mendova se ishte një ide e mrekullueshme. Është një kohë e vështirë tani dhe unë thjesht dua të ndihmoj. Të njëjtën gjë e ka kaluar edhe familja ime kur kemi jetuar në Kosovë. Ti e di që nuk mund t’i ndihmosh të gjithë, por mund të bësh ndryshim për dikë. Apartamenti im do të jetë falas për dikë që do të jetonte për aq kohë sa i nevojitet. Është një nga gjërat me të cilat dua të kontribuoj”, shtoi tutje anëtari i Ipswich Town.
25 -vjeçari i rritur në Kosovë gjatë kohës kur vendi ishte i pushtuar nga Serbia, tha se ka dëgjuar histori nga prindërit e tij.
“Nuk më kujtohet se çfarë ndodhi, por mamaja dhe babai im më kanë treguar histori. Ne arritëm të dilnim pak para se të shpërthente vërtet në Kosovë. Unë, mamaja dhe vëllai im u transferuam në Norvegji. Babai im ishte ende në Kosovë dhe duhej të ikte nga vendi në një mënyrë tjetër. Po, ishte një kohë e vështirë. Sigurisht që kishte shumë njerëz që ishin në rrezik dhe shumë që vdiqën. Ishte e frikshme. Ishte e mrekullueshme të vije në Norvegji për shkak të kohërave të vështira. Shumë futbollistë kroatë, boshnjakë dhe kosovarë do ta dinë se çfarë po ndodh tani. Do ta kenë të vështirë të shohin se çfarë po ndodh. Të ofroj banesën time është diçka që kam vendosur ta bëj. Shpresoj se mund të bëj në të ardhmen me njerëz nga jo Ukraina, por nga vende të tjera. Ka shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë.”, tha tutje ish-futbollisti i Manchester Cityt.
Familja Celina do të flasë me autoritetet norvegjeze për të lehtësuar transferimin e një familje ukrainase në shtëpi, e cila ndodhet në Drammen, në qytetin Bersant Celina u rrit.
“Shpresojmë se mund të ndihmojmë një familje të vogël të ndërtojë një të ardhme siç ishim në gjendje ta bënim ne. Lëvizëm shumë dhe qëndruam në bujtina. Babai im erdhi disa muaj pas nesh. Mund ta imagjinoj se nuk ishte e lehtë për prindëri e mi”, shtoi futbollisti dardan.
Bersant Celina në fund tha se tema e Ukrainës po diskutohet edhe në dhomën e zhveshjes te skuadra angleze.
“Ju dëgjoni njerëzit që flasin për këtë në dhomën e zhveshjes. Mund ta ndjeni tensionin. Nuk është larg. Jam i shokuar që në vitin 2022 po kalojmë nëpër një luftë në Evropë, apo kudo në botë. Është shumë e vështirë, ka shumë njerëz që vuajnë dhe nuk është bukur ta shohësh”, është shprehur prizrenasi. /Gazeta Express/