Erida Caudill ishte ende adoleshente kur mbërriti nga Shqipëria në Kontenë Collier të Floridës, në vitin 2004. Dy vjet më vonë, në moshën 16-vjeçare, hyri për herë të parë në Zyrën e Sherifit të Kontesë Collier, si nëpunëse studente në njësinë për shërbimet ndaj viktimave.
Njëzet vjet më pas, ajo është ngritur në gradën e rreshteres (Sergeant).
Shoqata e Zbatuesve të Ligjit Shqiptaro-Amerikanë (AALEA) e bëri të ditur gradimin këtë javë. Shoqata vlerësoi përkushtimin, profesionalizmin dhe aftësitë e saj drejtuese, dhe e cilësoi atë frymëzim për komunitetin shqiptaro-amerikan në radhët e zbatimit të ligjit.
Rruga e saj në këtë institucion është ndërtuar hap pas hapi. Pas fillimit si nëpunëse studente, në vitin 2007 u bë asistente në gjykatë dhe një vit më vonë teknike në burg, para se të kalonte në shërbimin korrektues. Gati një dekadë më parë, Zyra e Sherifit kishte shënuar gradimin e saj në rreshtere të shërbimit korrektues.
Më pas shërbeu si tetare dhe si anëtare e vjetër e Gardës së Nderit, e cila e përfaqëson zyrën në ceremoni dhe përkujtime.
Vitet e fundit ka punuar si zyrtare për marrëdhëniet me të rinjtë në shkollën e mesme të ulët të Immokalee-s. Zyra e Sherifit e veçoi në serinë e saj “250 histori shërbimi”, kushtuar 250-vjetorit të Amerikës, me titullin “Investim në të ardhmen”.
Krahas karrierës në polici, Caudill nuk e ka ndërprerë asnjëherë shkollimin. Me ndihmën e programit të institucionit për rimbursimin e shkollimit, ajo përfundoi studimet e larta dhe masterin, e më pas vazhdoi studimet doktorale në drejtësi penale në Universitetin Keiser. Profili i saj profesional tani e paraqet si doktore e drejtësisë penale.
Zyra e Sherifit ka shkruar se ajo beson që arsimi forcon aftësitë drejtuese, komunikimin dhe mendimin kritik, dhe dëshmon përkushtim ndaj përsosmërisë profesionale.
Për AALEA-n, që bashkon zyrtarët shqiptaro-amerikanë të zbatimit të ligjit në mbarë Shtetet e Bashkuara, gradimi i saj është edhe një shembull se sa larg kanë arritur në shërbimin publik amerikan të rinjtë e komunitetit që erdhën këtu me pak.
Nga tavolina e një nëpunëseje studente te grada e rreshteres, Caudill e ka kaluar gati gjithë karrierën brenda të njëjtit institucion, në komunitetin që e priti kur ishte adoleshente.







