Një 21-vjeçar nga Kosova është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me akuza federale se shiste të dhëna të vjedhura të kartave të kreditit dhe informacione personale në forume kriminale të dark web-it.
Hektor Avdyli iu dorëzua Marshallëve të SHBA-së në Prishtinë më 19 nëntor dhe të nesërmen u paraqit në gjykatën federale në Milwaukee. Gjyqtari William E. Duffin urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim deri në gjykim, njoftoi të hënën Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Lindor të Wisconsinit.
Një juri e madhe federale në Milwaukee ngriti aktakuzë sekrete ndaj tij në tetor 2025. Aktakuza me tetë pika e akuzon për mashtrim elektronik, mashtrim me mjete qasjeje dhe vjedhje të rënduar identiteti.
Sipas prokurorëve, Avdyli përdorte pseudonime të ndryshme për të reklamuar të dhëna të vjedhura kartash, të cilat blerësit mund t’i përdornin për mashtrime. Ai pretendonte se i kishte marrë nga faqe blerjesh në internet përmes softuerëve keqdashës.
Prokurorët thonë se agjentët e FBI-së, duke u paraqitur si blerës, blenë fshehurazi nga shitësi më shumë se 27,000 numra kartash. Të dhënat përfshinin kodet e sigurisë së kartave, emra, adresa, numra telefoni dhe email-e. Rreth 300 nga personat e listuar jetonin në Wisconsin. Hetuesit më pas e identifikuan shitësin si Avdylin.
Në një nga hard disqet e tij, agjentët gjetën rreth 2.7 milionë numra kartash pagese, përfshirë karta krediti, debiti dhe dhuratash, së bashku me të dhëna personale.
Autoritetet e Kosovës e arrestuan Avdylin në korrik 2026 me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë.
“Drejtësia nuk njeh kufij; ajo do të të gjejë,” deklaroi Alan Karr, agjenti special përgjegjës i zyrës së FBI-së në Milwaukee.
Aktakuza është vetëm pretendim. Avdyli konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.







