Për një çerek shekulli, Valentin Ftoni jetoi në Shtetet e Bashkuara me emra që nuk ishin të tijtë. Të mërkurën, ai u kthye në Shqipëri për të vuajtur dy dënime me nga 25 vjet burgim për tre vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.
Policia e Shtetit njoftoi më 18 nëntor se 52-vjeçari u ekstradua nga Nju Jorku, duke mbyllur një kërkim ndërkombëtar që zgjaste që nga viti 2001.
Sipas policisë, në Shtetet e Bashkuara Ftoni përdorte tre identitete të rreme: Valentin Bujaj, Parim Hajredini, me identitet kosovar, dhe Alexander Campusano, me identitet të një vendi të Amerikës Qendrore.
Hetuesit thonë se ai u largua nga Shqipëria me dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së tha se nisi hetimin në gusht, pas informacionit nga INTERPOL Tirana. Hetuesit zbuluan se ai kishte jetuar në vend në mënyrë të paligjshme, me disa emra të rremë, që nga fillimi i viteve 2000.
Ai u lokalizua në zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe u arrestua më 8 tetor nga Marshallët, në bashkëpunim me Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE). Në operacion morën pjesë edhe Shërbimi i Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Doganat dhe Mbrojtja e Kufijve, Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së dhe Policia e Shtetit.
Policia shqiptare e quajti operacionin “GLOBE”.
Ftoni u dënua dy herë nga Gjykata e Shkodrës, ndërsa ishte në arrati.
Më 28 janar 2001, ai u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen me paramendim të dy personave, të identifikuar me inicialet Gj. M. dhe A. M., kryer në bashkëpunim më 19 shtator 2000 në Ças të Velipojës. Policia e përshkroi motivin si gjakmarrje. Marshallët amerikanë i përshkruan viktimat si burrë e grua.
Më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi me 25 vjet të tjera burgim për vrasjen me paramendim të një burri të identifikuar si G. T., të vrarë në Shkodër më 12 gusht 2001, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.
Marshallët amerikanë thanë gjithashtu se autoritetet shqiptare e konsiderojnë atë të dyshuarin kryesor për një vrasje të katërt.
“Ky rast tregon pikërisht pse ka rëndësi shkëmbimi i informacionit mes organeve ndërkombëtare të zbatimit të ligjit,” tha Daniel Vizzi, drejtor në detyrë i INTERPOL Washington, kur u njoftua arrestimi në tetor.
Ricky J. Patel, Marshalli i SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, e quajti arrestimin “dëshmi e këmbënguljes dhe profesionalizmit të hetuesve tanë”.
Të mërkurën, Ftoni u dorëzua nga ICE dhe Shërbimi i Sigurisë Diplomatike tek autoritetet shqiptare. Pamjet e policisë e treguan duke mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nën shoqërim.
Tani ai do t’i përgjigjet drejtësisë shqiptare për të vuajtur dënimet.







