Leo Karruli, biznesmeni shqiptaro-amerikan që bleu në ankand qendrën tregtare në vështirësi Johnstown Galleria në Pensilvani, është në qendër të “Mall Country”, një dokumentar i ri që pati premierën botërore në DOC NYC, festivalin më të madh të filmit dokumentar në Shtetet e Bashkuara.
Me regji të Brian Becker, filmi 84-minutësh trajton rënien e qendrave tregtare amerikane, dikur vende takimi për komunitete të tëra. Festivali e përshkruan si historinë e një emigranti shqiptar që blen “gati rastësisht” një qendër tregtare në Johnstown dhe përpiqet ta shpëtojë nga mbyllja.
“Mall Country” u shfaq për herë të parë të enjten, më 12 nëntor, në SVA Theatre në Manhattan, dhe sërish të dielën në Village East by Angelika. Të dyja shfaqjet ishin planifikuar të mbylleshin me një bashkëbisedim me Becker-in, producenten Carrie Weprin dhe vetë Karrulin. Filmi mund të shihet online përmes DOC NYC deri më 29 nëntor.
Karruli u rrit në një fshat të varfër në Shqipërinë komuniste. Në vitin 1991 u nis për në Itali, ku punoi në restorante para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara. Ai ndërtoi një biznes me restorante italiane në Florida dhe më pas kaloi në pasuri të paluajtshme.
Ai e bleu Johnstown Galleria, një qendër tregtare me dy kate pranë Johnstown-it, në një ankand online në vitin 2022 për rreth 3 milionë dollarë. E njëjta qendër ishte shitur për 57 milionë dollarë në vitin 2008.
Që atëherë ai ka paguar për riparime, u ka ofruar bizneseve të vogla kontrata fleksibile qiraje dhe, sipas tij, ndonjëherë ka pranuar humbje për t’i mbajtur qiramarrësit. “Qendra tregtare nuk ka vdekur. Nuk po vdes,” i tha ai The Philadelphia Inquirer në vitin 2023.
Becker është regjisor me bazë në New York, i cili bashkëdrejtoi “Time Bomb Y2K”, që u shfaq premierë në HBO në vitin 2023. “Mall Country” është prodhuar nga Becker dhe Weprin.
Atlantiku shkroi për herë të parë për punën e Karrulit në Galleria në dhjetor 2024.







