Familja e shqiptaro-amerikanes Donike Gocaj ka ngritur një padi për vdekje nga neglizhenca ndaj kompanisë së energjisë Con Edison, rreth dy muaj pasi 56-vjeçarja humbi jetën duke rënë në një pusete elektrike të hapur në zemër të Manhattan-it.
Padia, e dorëzuar në Gjykatën Supreme të New York-ut, pretendon se Con Edison dështoi ta siguronte siç duhet kapakun e pusetës, nuk vendosi barriera apo sinjalizime paralajmëruese dhe nuk mori masa për të mbrojtur këmbësorët nga një rrezik i njohur.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 majit, pranë kryqëzimit të East 52nd Street me Fifth Avenue. Donike Gocaj, banore e Briarcliff Manor, sapo kishte parkuar automjetin e saj dhe kishte dalë prej tij kur bëri një hap përpara dhe ra rreth tre metra në një pusete të hapur të Con Edison, e mbushur me avull dhe temperatura shumë të larta.
Sipas padisë, Donike pësoi djegie të rënda nga avulli përvëlues, dëmtime nga thithja e nxehtësisë dhe trauma të forta në trup. Dokumentet gjyqësore thonë se ajo bërtiste vazhdimisht: “Po vdes! Po vdes!”, ndërsa kalimtarët kërkonin dëshpërimisht një mënyrë për ta shpëtuar.
Partneri i saj prej shumë vitesh, Jashar “Jack” Kameraj, u përpoq të hynte në pusete për ta nxjerrë, por edhe ai pësoi djegie serioze dhe dëmtime nga avulli. Sipas avokatëve të familjes, ai vazhdon të vuajë nga pasojat e asaj nate dhe është gjithashtu pjesë e padisë.
Autopsia përcaktoi se Donike Gocaj humbi jetën nga djegiet e rënda, dëmtimet termike në rrugët e frymëmarrjes dhe trauma në pjesën e sipërme të trupit.
Avokatët pretendojnë se Con Edison kishte dijeni prej vitesh se kapakët e pusetave mund të zhvendosen nga kamionët e rëndë, por nuk kishte instaluar mekanizma shtesë sigurie, si sisteme bllokimi, monitorim në kohë reale apo pajisje të tjera mbrojtëse që mund të kishin parandaluar tragjedinë.
Padia argumenton gjithashtu se problemi nuk është një rast i izoluar. Sipas familjes, gjatë vetëm dy muajve të parë të vitit u regjistruan mbi 3,200 ankesa për rreziqe që lidhen me pusetat në New York, çka sipas tyre tregon një problem sistematik të sigurisë.
Familja kërkon dëmshpërblim për humbjen e Donike Gocajt, si dhe dëmshpërblim ndëshkues ndaj Con Edison. Ata gjithashtu kërkojnë që kompania të zbatojë masa të reja sigurie për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Con Edison ka shprehur ngushëllime për familjen, por ka refuzuar të komentojë akuzat për shkak të procesit gjyqësor në vazhdim. Më herët, kompania kishte deklaruar se kamerat e sigurisë tregonin se një kamion me shumë akse kishte zhvendosur kapakun e pusetës rreth 12 minuta para aksidentit fatal.







