Shqipëria ka regjistruar tkurrjen më të madhe të popullsisë në Evropë gjatë 25 viteve të fundit, duke humbur pothuajse një në katër banorë që nga fillimi i viteve 2000, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat.
Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat, të bazuara në të dhënat e INSTAT, Shqipëria kishte rreth 2.34 milionë banorë më 1 janar 2026, krahasuar me 3.06 milionë banorë në vitin 2000.
Në këtë periudhë, popullsia e vendit është pakësuar me rreth 721 mijë persona, ose 23.6%, duke e renditur Shqipërinë si vendin me rënien më të madhe të popullsisë në Evropë.
Sipas analizës së publikuar nga Monitor, Bullgaria renditet e dyta me një tkurrje prej 21.6%.
Në vendin e tretë renditet Kosova, ku krahasimi është bërë duke filluar nga viti 2003, pasi ky është viti më i hershëm për të cilin ka të dhëna të krahasueshme. Gjatë kësaj periudhe, popullsia e Kosovës është tkurrur me 19.3%.
Rënie të konsiderueshme të popullsisë kanë regjistruar edhe Lituania me 17.8%, Rumania me 15.2%, Kroacia me 13.8%, Serbia me 13.2% dhe Gjeorgjia me 11.1%.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka shënuar një rënie prej 10%, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina 9.5%. Humbje të popullsisë kanë regjistruar gjithashtu Hungaria (7.2%), Polonia (5%), Armenia (4%), Greqia (3.8%) dhe Estonia (2.9%).
Të dhënat tregojnë se pothuajse i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me rënie të popullsisë, e ndikuar nga emigracioni, niveli i ulët i lindjeve dhe plakja e popullsisë.
Megjithatë, Shqipëria mbetet vendi me ritmin më të lartë të tkurrjes së popullsisë në Evropë.
Përjashtimi i vetëm në rajon është Mali i Zi, ku popullsia rezulton 3.3% më e lartë krahasuar me vitin 2000.





