Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës e surprizuan pastorin amerikan Mark Burns, aleat i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, me dhurata gjatë largimit të tij nga Kosova, ndërsa i kërkuan që t’ia përcjellë të falat presidentit amerikan.
Momenti u publikua në një video nga vetë Burns në rrjetet sociale. Policët i dhuruan një pllakë me stemën e Policisë së Kosovës dhe e falënderuan për fjalët pozitive që kishte thënë për punën e tyre gjatë vizitës në vend.
Burns u shpreh se ishte “thellësisht i nderuar” nga ky gjest, duke bërë të ditur se të njëjtët zyrtarë kishin qenë pjesë e ekipit të angazhuar për sigurinë e delegacionit të tij gjatë qëndrimit në Kosovë.
Gjatë vizitës, Burns kishte vlerësuar publikisht profesionalizmin dhe mikpritjen e Policisë së Kosovës, si edhe angazhimin e saj në sigurimin e delegacionit të tij dhe të objekteve fetare që vizitoi.







