Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka mbrojtur me sukses titullin e tij IBO në kategorinë cruiserweight, pasi mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve nigerianin Austine Nnamdi në Wembley Arena të Londrës.
Meçi zgjati plot 12 raunde, ku të dy boksierët treguan ritëm të lartë dhe intensitet të madh. Nnamdi ushtroi presion gjatë gjithë duelit, por Uldedaj ishte më i saktë në momentet kyçe, duke kontrolluar distancën dhe duke bindur gjyqtarët.
Kjo ishte mbrojtja e parë e titullit për Uldedaj, pas fitimit të brezit IBO në tetor 2025. Me këtë fitore, ai e përmirëson bilancin e tij profesional në 22 fitore dhe vetëm 1 humbje.
Fillimisht ishte planifikuar një kundërshtar tjetër, por ndryshimet e fundit sollën Nnamdi në ring në moment të fundit. Megjithatë, ai e bëri ndeshjen të fortë deri në fund.







