Bebe Rexha ka shprehur mbështetje publike për studentët shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut lidhur me ndalimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Studentët nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Europës Juglindore kanë paralajmëruar një protestë të re më 18 maj në Shkup, duke kërkuar të drejta të barabarta gjuhësore dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në reagimin e saj, Rexha theksoi se gjuha shqipe është pjesë e thellë e identitetit dhe trashëgimisë kulturore, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së saj ndër breza. Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik i ndërtuar mbi bashkëjetesë dhe barazi, ku shqipja njihet si gjuhë bashkëzyrtare.
Rexha gjithashtu deklaroi se studentët meritojnë të njëjtat mundësi dhe nuk duhet të përballen me diskriminim në arsim dhe në provime profesionale si ai i jurisprudencës.
Çështja ka nxitur debat të vazhdueshëm institucional dhe politik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa studentët paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.







