Një shtetas shqiptar i dënuar për vrasje ka shkaktuar reagime të forta në Mbretërinë e Bashkuar pasi u zbulua se kishte fituar rreth 20 mijë paund përmes TikTok-ut ndërsa vuante dënimin në burg.
Eugert Merizaj, 33 vjeç, ndodhet në burgun HMP Manchester, pasi në vitin 2022 u dënua me 32 vjet burg për vrasjen me armë gjahu të Hemawand Ali Hussein në Hartlepool në vitin 2019. Pavarësisht ndalimit të rreptë të telefonave dhe rrjeteve sociale në burgje, Merizaj arriti të transmetojë drejtpërdrejt në TikTok nga qelia e tij, duke përdorur një telefon kontrabandë.
Raportohet se ai përfitoi shuma të mëdha përmes TikTok Live “battles”, ku përdoruesit transmetojnë drejtpërdrejt dhe ndjekësit u dërgojnë dhurata virtuale që kthehen në para reale. Vetëm në një transmetim javën e kaluar, ai dyshohet se fitoi rreth 20 mijë paund.
Pas publikimit të rastit, Ministria britanike e Drejtësisë dhe TikTok deklaruan se llogaria e tij ishte mbyllur. Megjithatë, Merizaj u rikthye shpejt duke përdorur llogari të tjera. Ai u kërkoi ndjekësve në Instagram ta ndiqnin në profilin e ri, duke shkruar se llogaria e parë ishte mbyllur.
Hetimet kanë zbuluar të paktën tre llogari të ndryshme të lidhura me Merizajn, të gjitha të përdorura për transmetime live nga burgu. Ai ka postuar gjithashtu fotografi ku shfaqet me rroba luksoze dhe marka të shtrenjta, edhe pse ndodhet në burg.
Sipas raportimeve, Merizaj duhet të ishte deportuar në Shqipëri për të vuajtur dënimin, por ai ka pretenduar publikisht se e ka penguar këtë proces.
Rasti ka nxitur kritika politike, me Sekretarin në hije të Drejtësisë, Nick Timothy, i cili tha se Shërbimi i Burgjeve po u lejon kriminelëve të “tallen me sistemin”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë deklaroi se kjo sjellje është e papranueshme dhe se është nisur një hetim, duke shtuar se po investohen 40 milionë paund në masa të reja sigurie për të luftuar futjen e sendeve të paligjshme në burgje. Të burgosurit që shkelin rregullat mund të përballen me dënime shtesë.







