Raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se e mbështetë plotësisht aplikimin që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Në një shkrim në Twitter, Cramon shkroi se Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë qasjen në mekanizmat e Evropës.
“Unë e kam mbrojtur këtë për një kohë të gjatë dhe kështu jam dakord me propozimin e Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Qytetarët e Kosovës meritojnë qasje të plotë në mekanizmat më të vjetër të Evropës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut , duke përfshirë #ECHR #ECtHR”, shkroi Cramon.
Po ashtu, edhe themeluesi dhe Kryesuesi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se është momenti që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Të hënën gjatë ditës, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se mbështetja e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe nga Kosova duhet të shpërblehet me anëtarësim në KE.
“Është e çuditshme pozita e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Kosova mbështet politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe. Do të ketë vota në BE për ta pranuar atë. Bëjeni tani. Vëreni në votim pranimin e Kosovës”, ka theksuar Knaus.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e MPJD-së, janë 117 vende të botës që e kanë njohur atë.
Për këta gati 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.
Në plan-programin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është formuar në mars të vitit të kaluar, thuhet se “rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë”.
Aty po ashtu thuhet se ekzekutivi “do të angazhohet në funksion të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”.
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka përsëritur ditë më parë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pas një takimi me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë./Telegrafi/