Në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u hap për herë të parë ekspozita artistike “EPOS”, një projekt i artistit vizual shqiptar Vlasov Sulaj, i cili solli figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut përmes një cikli të thellë fotografik që bashkon dritën, formën dhe kujtesën historike.
Ekspozita, e shoqëruar edhe nga një libër fotografik me të njëjtin titull, u prezantua para publikut shqiptar të diasporës dhe audiencës amerikane, duke ngjallur reagime të ngrohta dhe emocionuese. “EPOS” lindi si ide gjatë inaugurimit të monumentit të Skënderbeut në Tuz, në bashkëpunim me skulptorët Ardian Pepa dhe Dylber Neziri.
Ekspozita përfshin 30 fotografi bardh e zi, të përzgjedhura nga mijëra imazhe të realizuara në një periudhë 11-mujore. Sipas autorit, puna në bardh e zi kishte për qëllim të theksonte esencën e procesit: dritën, formën dhe hijen.
Kontributi i Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York, “Malësia” në Kaliforni dhe “Jehona e Malësisë” ishte vendimtar në realizimin dhe promovimin e këtij projekti në SHBA. Fotografitë e ekspozuara iu dhuruan këtyre shoqatave si gjest mirënjohjeje.
Sulaj thekson se “EPOS” është më shumë se një ekspozitë – është një rrëfim artistik dhe emocional mbi figurën e Skënderbeut, nga krijimi deri në përjetësim. Projekti ka ngjallur interes për bashkëpunime të mëtejshme në nivel ndërkombëtar.







