Një vajzë shqiptare 23-vjeçare nga Shkupi, Hana Selmani, po konsiderohet një yll në ngritje në fushën e inteligjencës artificiale. Ajo ka krijuar një vegël që përmes të dhënave të mikrobiomës së zorrëve zbulon shenjat e depresionit – me një saktësi të jashtëzakonshme prej 99%.
Hana ka kryer studimet në New York dhe në New York University Abu Dhabi. Nën mentorimin e profesoreshës Mai Oudah, ajo ka hulumtuar nëse IA mund të zbulojë depresionin dhe nëse ekziston një lidhje mes mikrobeve të zorrëve dhe shëndetit mendor. Përgjigja? Po – dhe me sukses të plotë.
“Qëllimi im ishte të krijoj një vegël efektive, të qasshme dhe me kosto të ulët për ata që nuk mund të përballojnë diagnostikimet tradicionale psikiatrike,” tha Hana në një intervistë.
Vegla e saj përdor teknikat e të mësuarit të makinerive, duke analizuar të dhënat e mikrobiomës së 90 personave. Programi mëson të dallojë mes mikrobeve të lidhura me depresionin dhe atyre të një mikrobiome të shëndoshë. Janë identifikuar 30–50 mikrobe kyçe që shërbejnë si tregues të saktë.
Punimi i saj shkencor, me titull “Using Machine Learning for Depression Detection Based on Gut Microbiome”, është publikuar në platformën prestigjioze Springer Nature. Vegla është ende në fazën e zhvillimit, por rezultatet e para janë shumë premtuese dhe paraqesin një hap të madh drejt zbulimit të hershëm të depresionit.
Hana është ndër të rrallët që në një moshë kaq të re arrin të publikojë studime me ndikim kaq të madh në shkencë.







