Në prag të festave, Specialist i Ushtrisë Amerikane, Landon Gnade, përjetoi një ribashkim emocional me Lepon, qenin që ai shpëtoi gjatë dislokimit të tij në Kosovë. Historia prekëse ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, duke treguar lidhjen e pathyeshme mes një ushtari dhe mikut të tij të katërkëmbësh.
Gjatë një misioni nëntë-mujor në Kosovë, Gnade e gjeti Lepon duke endur afër kampit të tij. Edhe pse fillimisht nuk kishte ndërmend të kujdesej për një qen, ai nuk mundi t’i rezistonte hijeshisë së Lepos. “U trondita kur ky qen erdhi drejt meje, dhe vendosa që ai të mos largohej kurrë nga unë” tha Gnade. Me kalimin e kohës, të dy krijuan një lidhje të fortë, me Gnaden që pagoi shpenzimet mjekësore për shëndetin e Lepos.
Kur misioni i Gnade përfundoi në tetor, ai ishte zemërthyer nga mendimi se do ta linte Lepon pas. Pikërisht në atë moment ndërhyri organizata jofitimprurëse “Paws of War” e cila ndihmon në ribashkimin e ushtarëve me kafshët e shpëtuara gjatë shërbimit jashtë vendit. Organizata punoi për dy muaj për të siguruar pasaportën e Lepos dhe për të organizuar transportin e tij drejt Georgias.
“Trauma e lënies pas të një kafshe të dashur është një sakrificë që nuk duam që ushtarët të përjetojnë” tha Gary Baumann nga Paws of War.
Tashmë në shtëpi në Atlanta, Gnade është i lumtur që e ka Lepon pranë vetes. “Jam kaq me fat. Nuk mund t’ju tregoj sa i lumtur jam që e kam këtu” tha ai, duke e përshkruar Lepon si burimin e tij të vazhdueshëm të ngushëllimit.
Për Gnaden, shoqëria e Lepos ka qenë thelbësore për ta ndihmuar në tejkalimin e sfidave të përshtatjes me jetën civile. “Është ngushëlluese. Nuk po e kaloj këtë periudhë vetëm; ai është këtu pranë meje” përfundoi Gnade.
Ky ribashkim prekës është një kujtesë e veçantë për lidhjen mes njeriut dhe kafshëve, edhe në rrethana nga më të vështirat.