Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, konfirmoi të premten se është afër përfundimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të patundshme në Shqipëri dhe Serbi.
Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, është në bisedime të avancuara me dy vendet ballkanike për investime në pronat turistike me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
Kushner, i cili ishte një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, i tha Bloomberg News në një intervistë se firma e tij me bazë në Miami synon të transformojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazanin, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët.
Sipas Bloomberg News, kompania e investimeve e Kushnerit me bazë në Miami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i cili më parë është përdorur vetëm si bazë ushtarake, në një ekoresort luksoz nën markën Aman. Ai i tha Bloomberg, “Ishulli i Sazanit është një nga bregdetet më të paprekura dhe unike që kam parë kudo në botë.”
Në Shqipëri, ai gjithashtu synon të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në ishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
“Jemi shumë të emocionuar. Ende nuk kemi përfunduar këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por po punojmë me përkushtim dhe jemi shumë afër,” tha Kushner.
Për sa i përket projekteve të tij në Shqipëri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e Kushnerit ka dorëzuar një aplikacion në Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime të bëra nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tani turizmi ka hyrë në sektorët e interesit për investitorët e huaj, jo vetëm shqiptarët. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë disa faza shqyrtimi përpara se të merren vendime, por deri më tani, një projekt i tillë ende nuk ka arritur në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.”
Në shpjegimin e saj, Ministria shprehu se “ka pasur interesa dhe kërkesa të mëparshme për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, të cilat padyshim përputhen me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar ato sepse objektivat e zhvillimit të palëve të interesuara nuk ishin konsideruar në përputhje me vizionin e turizmit miqësor ndaj mjedisit dhe natyrës, një balancë e nevojshme për vizionin e turizmit të Shqipërisë për vitin 2030.”
Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ishte në dijeni të një projekti të tillë, duke shtuar se “çdo propozim dhe përpjekje për të investuar në Shqipëri është e mirëpritur. Qeveria shqiptare nuk ka fshehur ambicien e saj për të promovuar dhe lehtësuar investimet cilësore në turizmin e shkëlqyeshmërisë dhe hotelet me 5 yje me standarde ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, veçanërisht nga vendet aleate strategjike të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara, ka një derë të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe standardeve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit.”
Në Serbi, ai planifikon të konvertojë tre blloqe rezidenciale të braktisura në qendër të kryeqytetit Beograd në një hotel luksoz, me hapësira tregtare dhe mbi 1,500 banesa.
Planet e Kushnerit në Ballkan duket se janë pjesërisht përmes marrëdhënieve të vendosura gjatë presidencës së Trumpit.
Ai tha se ka punuar në këto marrëveshje me Richard Grenell, i cili shërbeu si Dërguar i Posacëm i Shteteve të Bashkuara për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për një kohë të shkurtër si Drejtor i Përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të Donald Trumpit.
The New York Times raportoi se projekti i parë në Shqipëri dhe ai në Serbi përfshijnë tokë të kontrolluar nga qeveritë përkatëse, që do të thotë se ai do të duhet të përfundojë marrëveshjet me qeveritë e huaja.
Grenell krijoi lidhje të çmuara gjatë qëndrimit në qeverinë amerikane, përfshirë disa që duket se kanë hapur rrugën për investimet e ekipit të Kushnerit në Ballkan, sipas gazetës amerikane.
Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Shqipërinë dy herë qëkur Trump la Shtëpinë e Bardhë.
Ata udhëtuan atje së bashku me Grenell dhe madje u takuan me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Kushner shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, dhe pas largimit nga detyra, ai themeloi firmën Affinity, e cila ka asete me vlerë 3.1 miliard dollarë.
Firma e tij mbështetet nga investitorët e Lindjes së Mesme që gëzojnë mbështetje shtetërore, përfshirë rreth 2 miliard dollarë nga Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite.
Kompania e tij gjithashtu synon të investojë në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale./EURONEWS