“E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.”
Ky është përshkrimi i intelektualit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar për gjuhën shqipe, Faik Konicës i cili veç të tjerash vë në pah numrin e vogël të fjalëve, por mundësinë që përmes tyre, të shprehen konceptet e mendimeve njerëzore.
Gjuha është thelbësore për shprehjen e kulturës. Si një mjet për të komunikuar vlerat, besimet dhe zakonet, ka një funksion të rëndësishëm shoqëror dhe nxit ndjenjat e identitetit dhe solidaritetit në grup. Është mjeti me të cilin kultura dhe traditat dhe vlerat e saj të përbashkëta mund të përcillen dhe ruhen.
“Shqipja e djalit tim është shumë më e avancuar dhe është kënaqësi që bashkë me të, të eksplorojmë kulturën shqiptare së bashku” citohet të thotë Shpresa, i biri i së cilës mëson gjuhën shqipe në platformën “Mëso Shqip”.
Por, sa po e ruajnë shqiptarët të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjuhën shqipe?
Në një intervistë për Atlantikun, nga shkolla shqipe në Boston “Besa” kanë treguar për përkushtimin e shqiptarëve për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Në këtë shkollë aktualisht kanë 60 nxënës, të cilët vazhdojnë mësimin në dy vende me përqendrimin më të madh të komunitetit shqiptar, Quincy dhe Peabody.
Prandaj, nga menaxhmenti i kësaj shkolle, thanë për Atlantikun se pjesëmarrja e madhe e nxënësve në procesin mësimor të gjuhës shqipe, dëshmon se shqiptarët po ruajnë identetin e tyre.
“Numri i madh i nxënësve që kemi në shkollën shqipe tregon këtë dëshirë të prindërve që fëmijet e tyre të mësojnë dhe posedojnë gjuhën amëtare dhe të jenë krenarë per vlerat dhe traditat që ofron kultura shqiptare,” thonë për Atlantikun.
Të gjithë nxënësit të cilët vijojnë mësimin në këtë shkollë, kanë lindur në Amerikë. Prandaj, vijimi i mësimit në shkolla shqipe, po shihet si domosdoshmëri për ta ruajtur gjuhën.
Sipas tyre, prindërit shqiptarë janë shumë të interesuar për t’i vazhduar traditat.
“Prinderit shqiptare jane shume te interesuar per vazhdimesine e gjuhes, traditave dhe kultures shqipe tek brezi i ri i femijeve te tyre, shumica e te cileve jane te lindur ne Amerikë,” shprehen për Atlantikun.
Nxënësit janë të moshës 4-12 vjeç, të cilët veç gjuhës mësojnë edhe vallen shqipe.
Përveç kësaj shkolle, në Amerikë ka edhe dhjetëra institucione të tjera arsimore, në të cilat mësohet gjuha shqipe. Shkolla shqipe “Alba Life”, shkolla “Mëso Shqip” shkolla në Texas- e cila është hapur për herë të parë në këtë vit, janë vetëm disa prej tyre.